Partizani e Vllaznia kanë dhuruar emocione dhe një barazim 1-1 në sfidën e luajtur në “Elbasan Arena”, e vlefshme për javën e tretë të Kategorisë Superiore. Një 90 minutësh i luftuar, me shkodranët protagonistë që në minutat e para, të cilët arritën të kalojnë në avantazh në minutën e 4-ët. Një veprim i zgjuar i Liridon Latifit ka kapur të papërgatitur mbrojtjen e kuqe dhe Da Silva e ka dërguar topin në rrjetë, 1-0.
Një gol që u ka dhënë shumë besim kuqebluve në lojën e tyre, duke u shfaqur dominues gjatë gjithë pjesës së parë. Megjithatë, të kuqtë arritën të rrezikojnë në minutën e 33-të me anë të Kaçes, i cili provoi nga një goditje dënimi, por Zogoviç u tregua në lartësinë e duhur.
Pjesa e dytë ishte akoma më e luftuar nga të dyja skuadrat, por të kuqtë arritën të krijojnë më shumë dhe të gjejnë golin e barazimit. Në fillim ishte Filipoviç, që goditi traversën. Më pas, në minutën e 88-të, ishte Rrapaj, i cili shfrytëzoi një aksion të gjatë të të kuqve, për të mposhtur portierin Zogoviç dhe për të vendosur gfatin e kësaj sfide, 1-1.
Pas këtij barazimi, Vllaznia ngjitet në kuotën e pesë pikëve, ndërsa Partizani mbetet në kuotën e 2 pikëve. Të kuqtë, pas tri javësh të luajtura, akoma nuk e kanë provuar shijen e fitores: një humbje dhe dy barazime.