RTSH Sport Live

Partizani “flirton” me fitoren në derbi

  • 27/01/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Partizani “flirton” me fitoren në derbi
Dinamo reziston 1-1, portieri Simoni protagonist në të mirë e në të keq

Nuk ka fitues në derbin e parë të çerekfinales së Kupës së Shqipërisë, por 1-1 është një rezultat që Partizanit i rri ngushtë, për mënyrën si shkoi ndeshja dhe mundësitë e humbura në fund. Një barazim që gjithësesi korigjon situatën moral të dy skuadrave, që kërkonin të kishin Kupën ilacin e harresës për zhgënjimin në javët e fundit. Shkëmbi i ripropozoi dy nga tre blerjet e janarit në fushë, ashtu si edhe Partizani që i besoi Skukës, që kishte tepër dëshirë t’i bënte keq ish-skuadrës së tij. Sulmuesi e bëri të ndihet prezencën e tij që në minutën e 10-të, ndërsa përgjigja e Dinamos erdhi po me goditje me kokë, pavarësisht se Sidibe nuk ishte aq i rrezikshëm tre minuta më pas.

Derbin e Kupës e ndezi Cara në minutën e 24-ët, duke zhbllokuar sfidën falë një pasigurie të 17 vjeçarit Simoni, që nuk kontrolloi mirë goditjen e Markut nga distanca. Cara ishte aty për ta ndëshkuar, si ka qenë gati në pjesën më të madhe të ndeshjeve të fundit e skuadra e Mehmetit pati tjetër ritëm, dëshirë e besim. E kundërta ndodhi me blutë që u fshinë nga fusha për minuta të tëra, ku vetëm kujdesi në prapavijë i bëri të qendronin pa dëme e madje të gjenin golin atëherë kur nuk pritej.

Një kontakt mes Bardhit e Bitrit nuk e vuri në dilemë fare Bajramajn që akordoi penallti, duke i dhënë nisjen më të keqe të mundshme aventurës së Bitrit të rikthyer të kuq. Ibraimi është tepër ekspert edhe për një si Hoxha që ekzaltohet kur vjen puna tek penalltitë dhe barazimi është i servirur tre minuta nga fundi. Ndoshta rezultati, por edhe sepse Mehmeti me largimin e Junior tregoi se nuk njeh senator por Partizani ishte shumë më agresiv pas rifillimit.

Skuka nuk di të bëjë keq dhe mbetet makinoz për të vënë në vështirësi mbrojtësit e Shkëmbit, por mundësinë më të mirë e shpenzoi Mala në minutën e 58-të. Një rast për të vënë duart në kokë, të zakonshme për tu parë të humben nga të kuqtë e pikërisht aty Ibraimi mendoi se mund të përfitonte, duke e vënë në vështirësi Hoxhën në goditjen e tij nga distanca, por vetëm kaq.

Dinamo nuk bëri shumë, bëri më shumë Simoni, që u mundua të shlyejë gabimin në rastin e golit me ndërhyrjen vendimtare në konkluzionin e Kallakut 10 minuta nga fundi, duke i mohuar suksesin Partizanit, që në fund ka ndjesinë se mund të kishte marrë më shumë se barazimi në përplasjen e parë derbi të çerekfinales së Kupës.

Ndoshta Mehmeti duhet ta nisë pikërisht nga pjesa e dytë me Dinamon për të gjetur kuadraturën e duhur të skuadrës së tij, ndërsa Shkëmbi nga derbi në derbi sheh ndryshim, por Dinamo e tij duhet ende të kolaudohet.