Saburtalo edhe 3 ditë larg, koha po shtrëngon për Partizanin që po shkon drejt një sfide me shumë të panjohura në Gjeorgji. Raundi i parë i kalueshëm në letër por koha nuk premton dhe skuadra duhet të jetë gati fizikisht për t’i bërë ballë një kundërshtari që edhe pse e ka studiuar nëpërmjet pamjeve video, mbetet i panjohur në shumë aspekte. Pas kthimit nga Sllovenia, trajneri Dritan Mehmeti nuk është ndalur për asnjë moment duke vijuar fazën përgatitore në kompleksin stërvitor të të kuqve, duke punuar kryesisht me detaje taktike dhe rreshtimin e kombinimin e skuadrës në fushën e lojës për 90 minutëshin e parë.
Emri që shqetëson më shumë është ai i kapitenit Hoxha që nuk është stërvitur gjatë dy seancave të fundit dhe ish-portieri i Skënderbeut, Bekim Rexhepi mund ta nisë titullar ndeshjen e datës 7. Pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme për të zbritur në fushën e stadiumit "Tengiz Burjanadze" të qytetit të Gori rreth 90 km larg kryeqytetit Tbilisi, ku pritet të udhëtojë edhe një numër i konsiderueshëm i tifozëve të kuq pasi klubi ka arritur të bashkëpunojë me një agjenci private për të ofruar paketa udhëtimi drejt Gjeorgjisë për mbështetësit që duan ta ndjekin skuadrën në stadium për sfidën e parë.
Kapaciteti i stadiumit modest është rreth 5 mijë vende ndërsa nuk parashikohet një numër i madh tifozësh vendas duke ditur që Saburtalo është një skuadër me qendër në Tbilisi.