RTSH Sport Live

Partizani heq dorë nga Kaçe, Kukësi rikthen Vasil Shkurtajn

  • 19/01/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani heq dorë nga Kaçe, Kukësi rikthen Vasil Shkurtajn
Të kuqtë dhe mesfushori ndërpresin bashkëpunimin, sulmuesi firmos për 6 muaj me verilindorët

Ergys Kaçe nuk do të jetë më pjesë e Partizanit. Ka qenë vetë klubi i kuq, i cili, nëpërmjet një postimi në faqen e vet në fejsbuk, ka lajmëruar ndërprerjen e bashkëpunimit me Ergys Kaçen. Të dy palët kanë vendosur në mirëkuptim të plotë ndërprerjen e marrëdhënieve, ndërsa Kaçe, ashtu sikurse ka bërë në pjesën më të madhe të karrierës së tij, do të vazhdojë të luajë në Greqi. Ardhur me shumë bujë në merkaton e verës, Kaçe duket se nuk i ka plotësuar pritshmëritë e drejtuesve të Partizanit.

Aq sa, përpara se të merrej ky vendim i përbashkët, kishte përfunduar tek skuadra e moshës deri në 21 vjeç e Partizanit. Me fanellën e kuqe, ndërsa në shpinë mbante numrin 26, Kaçe në kampionat ka luajtur 13 ndeshje dhe nuk ka shënuar asnjë gol. Në Kupën e Shqipërisë ka luajtur katër ndeshje e ka dhënë një asist në ndeshjen ndaj Tërbunit të Pukës në fitoren e Partizanit në transfertë, 3-0. Kështu Partizani largon Kaçen, ndërsa tanimë pritet që skuadra, me përforcimet e fundit, të funksionojë në mënyrën e duhur dhe të shkojë drejt objektivave që drejtuesit kanë vendosur.

Tashmë është zyrtare, Vasil Shkurtaj ka bërë rikthimin te skuadra e Kukësit, duke firmosur një kontratë për 6 muaj, me opsionin për të rinovuar për sezonin pasardhës. Pas një aventure në Kinë, 29-vjeçari rikthehet në Superiore dhe pikërisht te verilindorët për pjesën në vazhdim të sezonit. Lajmi është bërë I ditur nga klubi verilindorë në rrjetet sociale: “Futboll Klub Kukesi njofton se sulmuesi Vasil Shkurtaj është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Sulmuesi 29-vjeçar ka firmosur ditën e sotme me klubin një kontratë deri në fund të sezonit me opsion rinovimin edhe për një tjetër sezon, duke u bërë kështu futbollisti më i ri në skuadër”.

“Sulmuesi shtatlartë rikthehet te skuadra jonë, pas një aventure në Kinë, duke u vënë menjëherë në dispozicion të skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit. Shkurtaj bëhet kështu afrimi i dytë në merkaton e janarit. Klubi i Kukësit i uron mirëseardhje sulmuesit dhe shumë suksese me fanellën e skuadrës sonë. Mirësevjen Vasil”.