Rexhepi, Hoti, Menish, Atanaskovski, Cvetanovski, Telushi apo Romero, merkatoja e Partizanit ndalet me blerjet përpara ndeshjeve europiane kundër Saburtalos. Klubi i kuq nuk ka ndërmend të shpenzojë më shumë për të forcuar skuadrën e sezonit të ri që do të ngrihet edhe mbi themelet që do të hedhin lojtarët e akademisë. Bashkëpunimi me skuadrën e të rinjve mbetet damari kryesor i furnizimit me gjak të kuq për ekipin e parë që prej disa ditësh ndodhet në Pogradec për fazën përgatitore.
Klubi beson te forca e kësaj skuadre për ta kthyer situatën në favor pas zhgënjimit të madh europian ku Partizani nuk arriti të kalonte fazën e parë. Momentalisht, trajneri Dritan Mehmeti po punon intensivisht për të ngjizur grupin aktual ku pikëpyetja më e madhe është kapiteni Alban Hoxha ende pa një kontratë të re ndërsa Esat Mala mbetet gjithashtu pas derës së kuqe me shpresën e rikthimit në skuadër pas përfundimit të huazimit nga Giresunspor.
Nuk ka ende lëvizje edhe në frontin e dy afrikanëve, Manet dhe Sembene, të cilët duket se janë në limitet e projektit të kuq ndërsa Massanga do të jetë një nga shtyllat e mesfushës për sezonin e ri ku emrat e vjetër do të jenë të shumtë pasi baza në kampin kryeqytetas mbetet e pandryshuar. Sezoni i Partizanit nis në 20 gusht me sfidën e shtëpisë kundër Egnatias.