RTSH Sport Live

Partizani lë pikë ‘titulli’, Laçi merr fitoren e tretë radhazi

  • 03/11/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani lë pikë ‘titulli’, Laçi merr fitoren e tretë radhazi
Kurbinasit fitojnë 1-0, të kuqtë zbresin nga vendi i parë

Një Partizan që gabon gjithnjë në ndeshjet që nuk duhet. Faza e dytë e kampionatit nis keq për të kuqtë, të cilët pas humbjes me Egnatian, pësojnë një tjetër disfatë ndaj Laçit me shifrat 1-0. Colella dorëzohet me një ndeshje shënjuar nga një gafë në murin mbrojtës të Partizanit që solli edhe golin në minutën e 13-të. Serxhio Ujka nga goditja e dënimit do të tregohej i saktë duke i dhënë besim kurbinasve se kjo ndeshje do ti përkiste atyre.

Mungesë vizioni, humbje kontrastesh dhe sulmuesit që binin shumë pak në kontakt me topin. Një impostim i tillë sigurisht që do ta pengonte Partizanin të fitonte ndaj një skuadre, që vetë Colella e kishte cilësuar agresive. Një pjesë e parë për t'u harruar për të kuqtë me raste të pakta, ku duhen përmendur vetëm tentativat e Atanaskoskit në minutën e 24-ët apo edhe të Hadroit në të 37-tën.

Colella kishte një skuadër të shuar në lojë që zëvendësimet nuk e ndezën dot. Në pjesën e dytë të kuqtë, u munduan të shënonin, ku rasti më flagrant ishte ai i minutës së 64-të me Engjell Hotin.  Laçi ishte racional, i kujdesshëm dhe i duruar. Kurbinasit mund të kishin mbyllur fatet e takimit në të 78-tën, ku goditja kros e Spahiut mund të kishte përfunduar në rrjetë, por Rexhepi shfaqi reflekset e tij.

Duhet përmendur se kjo është fitorja e tretë radhazi për Laçin, me lojtarët që kanë filluar të kuptojnë filozofinë e Vukicevic. Kurbinasit shkojnë në vendin e 6-të në kuotën e 14 pikëve, ndërsa kjo humbje zbret nga kreu Partizanin që mbetet me 19 pikë në 11 javë kampionat.