RTSH Sport Live

Partizani, Longo tregon të vërtetën për stolin

  • 12/08/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, Longo tregon të vërtetën për stolin
Ish-trajneri i Kukësit: “Kam marrë mesazhe nga tifozët dhe lojtarët”

Xhovani Kolela është trajneri i ri i Partizanit. Vetëm 24 orë pas shkarkimit të Dritan Mehmetit, “të kuqtë” firmosën me 56-vjeçarin nga Salerno, i cili pasi mbërriti në kryeqytet zhvilloi seancën e parë stërvitore. Një emër që po qarkullonte për të marrë drejtimin e Partizanit, kjo para ardhjes së Kolelës, ishte Diego Longo. Ish-tekniku i Kukësit ka reaguar me anë të një postimi në “Facebook”, ku ka folur lidhur me situatën duke falënderuar tifozët dhe lojtarët, që e kanë kontaktuar për ta ftuar të marrë këtë detyrë. Por ka shpjeguar se drejtuesit e Partizanit kishin menduar një zgjidhje tjetër.

 “Në ditët e fundit kam marrë shumë mesazhe dashamirëse nga ana e tifozëve dhe disa prej lojtarëve të Partizanit”, nis postimi i teknikut 46-vjecar. “Po shkruaj për t’i falënderuar, pa e fshehur simpatinë dhe respektin që kam ndaj tyre. Është një nder që emri im të lidhet me një klub prestigjoz dhe ambicioz, një aventurë që unë dhe stafi im do ta kishim marrë me një entuziazëm të madh. Drejtuesit e Partizanit kanë menduar një zgjidhje tjetër. I uroj më të mirën kolegut tim dhe një sezon të mbushur me suksese”, ka përfunduar Longo.