RTSH Sport Live

Partizani, Mehmeti para Vllaznisë: Kemi mungesa, por…

  • 30/03/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Partizani, Mehmeti para Vllaznisë: Kemi mungesa, por…
Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti në konferencë për shtyp në prag të sfidës me Vllazninë

Është momenti i gjysmëfinales së parë të Kupës së Shqipërisë, Partizani-Vllaznia, të enjten në “Elbasan Arena” ora 17:45. Trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti ka dalë në një konferencë për shtyp duke komentuar në funksion të kësaj sfide.

“Ndeshjet e Kombëtareve? Pushimi të ndihmon nga ana fizike dhe mentale. Skuadra është përgatitur mirë. Në ndeshjen e fundit krijuam volum loje, por nuk finalizua, si duhet, duhet të ndryshojmë në 20 metrat e fundit”.

“E vlerësojmë Vllazninë për vlerat që ka. Janë dy ndeshje, skuadra duhet të jetë e qetë dhe pragmatiste. Tifozëria është lojtari ynë i 12-të, kemi nevojë për ta, shpresoj të na kuptojnë dhe të na mbështesin”.

“Trajneri i Vllaznisë? E njoh Plorin, ka qenë në stafin e Brdaric. Besoj se do të ketë pak ndryshime, nuk ka patur shumë kohë për të injektuar idetë e tij. Do të përgatitemi për gjithcka, do të marrim masa”.

“Mungesat? Marku dhe Cara luajnë 90 minuta me U21. Edhe Rrapaj është dëmtuar në këtë ndeshje, por nuk do të nxjerrim justifikime. Kërkoj që skuadra të jetë agresive, cinike, nuk mund të shpërdorojmë kaq shumë në metrat e fundit. I kuptoj lojtarët, i mbështes, por në të njëjtën kohë u kërkoj që të jenë më profesionistë në stërvitje”.

“Do mundohemi ti japim ritëm ndeshjes dhe të dominojmë, Vllaznia të lejon të luash futboll. Ndoshta ndeshja duhet të ishte spostuar, nuk jemi të barabartë, kemi tre mungesa. Nuk më takon mua të flas në lidhje me aktivizimin e lojtarëve të mi nga ana e trajnerit të U21”.