RTSH Sport Live

Partizani, në bisedime me Malën dhe Asanin

  • 08/06/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, në bisedime me Malën dhe Asanin
Klubi i kuq ka nisur kontaktet me mesfushorin e Vllaznisë, Herald Marku

Të gjithë lojtarëve pa kontratë u është bërë një ofertë dhe e tillë është edhe situata që lidhet me Jasir Asanin apo Esat Malën. Presidenti i klubit të kuq, Gazment Demi dhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama po punojnë me të gjitha këto cështje personalisht, duke synuar që ta mbyllin kapitullin e rinovimeve dhe për t’i dhënë formë skuadrës së sezonit të ardhshëm pasi bëhet fjalë për detaje që po mbajnë peng grupin e drejtuiar nga Ilir Daja i cili është rikthyer në kompleksin stërvitor për fazën e parë përgatitore.

Në pritje të shortit të fazës së parë në Conference League, pjesa e mbetur e skuadrës së sezonit të kaluar ka nisur punën që në datën shtatë dhe kalendari i fazës përgatitore është kombinuar paradite e pasdite. Aktualisht, grupi është i reduktuar, ndërsa klubi synon që në pjesën e dytë të fazës përgatitore që do të nisë në mes të muajit, të ketë një përgjigje përfundimtare edhe nga Asani apo Mala.

Përsa i përket mesfushorit të lindur në Prizren, zërat për një transferim të mundshëm te Samsunspor janë shtuar, por klubi turk nuk mund ta përfitojë me parametra zero pasi duhet të paguajë rreth 120 mijë euro në llogari të Partizanit, tarifë kjo e parashikuar nga rregullorja e FIFA-s për lojtarët poshtë moshës 23-vjec.

Një cështje tjetër është edhe ajo që lidhet me Ferhan Hasanin, të cilin klubi do ta presë për të marrë një vendim pas Europianit për shkak të angazhimit të tij me Maqedoninë e Veriut por kjo nuk është një cështje urgjente pasi sulmuesi është nën kontratë me të kuqtë.

RTSH Sport mëson se gjatë ditëve të fundit ka pasur disa kontakte edhe me mesfushorin e Vllaznisë Herald Marku por janë ende hapat e parë të një telenovele që mund të zgjasë gjatë gjithë merkatos së verës pasi lojtari shkodran ishte një nga pikat kyce të skuadrës së Brdaric gjatë sezonit të kaluar dhe me siguri trajneri kroato-gjerman nuk do të preferonte largimin e tij nga Shkodra.