Presidenti i Partizanit, Gazment Demi është shfaqur me këmbë në tokë pas ndeshjes me Apoloninë, pavarësisht se skuadra e tij është ngjitur në vendin e parë në klasifikim. Në një prononcim të dhënë për RTSH Sport, presidenti i të kuqve ka bërë të ditur se skuadrës tani i duhet të tregojë se di ta ruajë këtë pozicion që ka arritur.
“Shumë të rëndësishme janë pikët, sepse e dini që me Apoloninë kemi gabuar. Për të qënë realist, kemi gabuar dy herë me ta, por kemi fituar sot”, ka deklaruar presidenti Demi.
Fitorja me fierakët e ka ngjitur Partizanin në krye të renditjes, por për Demin, është ende herët të flitet për titullin: “Kanë mbetur edhe pesë javë, e kemi marrë edhe herë tjetër kreun dhe nuk e kemi mbajtur. Të shohim e të shpresojmë të na shkojë mbarë”.
Teksa kanë mbetur edhe 5 javë deri në mbyllje të kampionatit, Partizani kryeson renditje me 57 pikë, një më tepër sesa Teuta, 3 më tepër sesa Vllaznia dhe 4 më tepër sesa Laçi.