RTSH Sport Live

Partizani përmbyset nga Laçi, pesë ndeshje pa fitore

  • 06/02/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani përmbyset nga Laçi, pesë ndeshje pa fitore
Të kuqtë janë mundur 2-1 në shtëpi nga skuadra kurbinase

Një tjetër disfatë në shtëpi për skuadrën e Partizanit, e cila ka plotë pesë javë që ka harruar se çfarë është shija e fitores. Në një ndeshje të luftuar, ishin kurbinasit ata që krijuan në minutat e para, por të kuqtë arritën të gjejnë golin me anë të Da Silva në minutën e 29-të. Gjithsesi, goli i pësuar nuk e demoralizoi skuadrën mike, e cila arriti të vendosë barazpeshën në fundin e pjesës së parë me anë të Turkajt, që përfitoi nga përgjumja e mbrojtjes së kuqe për të dërguar topin në rrjetë me një gjuajtje me kokë.

Pjesa e dytë nisi e kujdesshme, me pak ritëm, me dyluftime të përqëndruara në mesfushë. Gjithsesi, ishin kurbinasit ata që rritën ritmin e lojës dhe arritën të finalizojnë me anë të Shkurtajt në minutën e 66-të duke përmbysur gjithçka në shtëpinë e të kuqve. Në minutat në vazhdim të besuarit e Mezanit u mbrojtën me kujdes duke ruajtur avantazhin deri në fund dhe duke i shkaktuar Partizanit humbjen.

Kështu të kuqtë koleksionojnë ndeshjen e pestë pa fitore(2 barazime, 3 humbje), njëkohësisht duke i dhënë mundësinë Tiranës së vendit të parë të rrisë largësinë në gjashtë pikë. Nga ana tjetër, Laçi pas atij fillimi të sezonit në hije, tashmë është një kandidat për një vend në zonën që e dërgon në Kupat e Europës.