RTSH Sport Live

Partizani, rikthen tifozët për Vllazninë

  • 14/03/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, rikthen tifozët për Vllazninë
Klubi paguan 500 mijë lekë për të shlyer gjysmën e dënimit të derbit

Një objektiv për tu arritur, një kualifikim për tu marrë e një ndeshje për tu fituar, me dy gola diferencën për më tepër. Nëse në llogari vendoset pastaj që kundërshtari është një rival direkt për Kupë e kampionat, bëhet e qartë se Partizani ka nevojë për të gjitha shtysat e mundshme për tia dalë.

E kështu, klubi ka vendosur të bëjë një sforco ekonomike për të patur në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Kupës së Shqipërisë tifozët e tyre. Me penalitetin e marrë prej dy ndeshjesh me dyer të mbyllura nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF, Klubi vendosi të shlyejë gjysmën e dënimit në shumë financiare.

Një lëvizje që do t’i japë mundësinë tifozëve të kuq që të jenë prezentë në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për objektivat e klubit. Pasi luajti në Loro Borici pa asnjë tifoz në mbështetje, të kuqtë zgjodhën të paguajnë shumën e 500 mijë lekëve për të shlyer ndeshjen e mbetur penalitet.

Kështu, në kthimin me Vllazninë stadium do të jetë i hapur për tifozët e Partizanit, me drejtuesit që shpresojnë që ata të bëhen lojtari i tyre i 12 në fushë. Pas 3-1 të pësuar në ndeshjen e parë, skuadra e Colella duhet të fitojë me dy gola diferencë për ta cuar ndeshjen në kohët shtesë. E megjithëse kundërshtari ka humbur vetëm një herë në këtë sezon me më shumë se dy gola diferencë, Partizani do të provojë të ndjekë deri në fund objektivin Kupë. E.S.