Sikundër RTSH kishte raportuar në mënyrë ekskluzive të martën në mbrëmje, Partizani ka shkarkuar nga detyra trajnerin Dritan Mehmeti. Klubi kryeqytetas e ka zyrtarizuar këtë largim të mërkurën në mesditë me një njoftim në profilet e tij në rrjetet sociale. “FK Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trainerin Dritan Mehmeti”, shkruhet në njoftimin, që më tej vijon: “Në prag të nisjes së kampionatit, drejtuesit dhe trajneri Mehmeti kanë zhvilluar një takim, në përfundim të të cilit palët kanë vendosur të ndahen miqësisht dhe të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre. Partizani falënderon Dritan Mehmetin për punën dhe kontributin e dhënë përgjatë gjithë periudhës si pjesë e klubit dhe së fundmi në drejtimin e ekipit të parë, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen”, përfundon njoftimi i Partizanit.
Në fakt, eliminimi që në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës përballë Saburtalos, edhe pse e kishte fituar ndeshjen e parë, por edhe forma jo bindëse gjatë miqësoreve të verës, që kulmoi në atë humbje 0-3 të dielën në Pogradec përballë Bylisit, i kanë kushtuar stolin trajnerit Dritan Mehmeti. Burime të RTSH pranë presidencës së klubit kanë mësuar se me largimin e trajnerit, që e udhëhoqi skuadrën drejt vendit të 3-të në kampionat sezonin e shkuar, Partizani po kërkon një emër të ri për stolin. RTSH ka mësuar se bëhet fjalë për një trajner të huaj, në këtë rast njw teknik italian, por emri i tij ende nuk është bërë publik. Kjo për arsye se bisedimet midis trajnerit italian dhe Presidencës së klubit të Partizanit vazhdojnë dhe zyrtarizimi i emrit të tij mund të bëhet brenda orëve në vijim. Ky ndërrim në stolin e gjigandes kryeqytetase vjen vetëm 11 ditë para nisjes së sezonit të ri të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Njoftimi i klubit tw futbollit Partizani
"FK Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trainerin Dritan Mehmeti. Në prag të startit të kampionatit, drejtuesit dhe traineri Mehmeti kanë zhvilluar një takim, në përfundim të të cilit palët kanë vendosur të ndahen miqësisht dhe të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre. Partizani falënderon Dritan Mehmetin për punën dhe kontributin e dhënë përgjatë gjithë periudhës si pjesë e klubit dhe së fundmi në drejtimin e ekipit të parë, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen".