RTSH Sport Live

Partizani, skuadra absolute e kampionatit

  • 20/11/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Partizani, skuadra absolute e kampionatit
Por edhe pse me tre brazilianë, Ylli Tomorri mendon se ka hapësira për të tjerë lojtarë

Partizani në volejboll për meshkuj është skuadra absolute në këtë pjesë të parë të sezonit. Në kampionat në shtatë javë ka arritur shtatë fitore, të gjitha në shifrat 3-0. Kurse në Kupën e Shqipërisë ka vetëm humbjen me Tiranën, 2-3, ndërsa të shtunën përballë Studentit e mbylli me fitoren 3-0 ndeshjet e para në grupin A. A është ky Partizani mbi kundërshtarët, apo ka ende për të bërë?

"Partizani është përgatitur mirë. Është skuadër shumë serioze në atë që bën dhe unë mendoj se është një skuadër kompetitive, e cila ka gjetur veten dhe që luan një volejboll të mirë. Mbi të gjitha luan një volejboll të pastër dhe, siç e shihni dhe vetë, nuk janë grindavecë. Shohin punën e tyre dhe mua për këtë më vjen mirë sepse edukimi dhe formimi i tyre duhet të jetë në këto nivele", thekson trajneri i të kuqve, Ylli Tomorri.

Soares Souza, Almeida Kardozo dhe Da Silva Gregori janë lojtarët që kanë përforcuar Partizanin këtë sezon. Mirëpo Tomorri mendon se ka hapësira edhe për të tjerë lojtarë, aq më tepër që ka diferenca në moshë.

"Mendoj që po t'i kishim pak më afër prurjet ose të kishim lojtarë të tjerë shqiptarë do të ishte më mirë për Partizanin. E them këtë sepse hera-herës ka diferenca të mëdha. Megjithatë këta lojtarë po rriten nën hijen e brazilianëve, të Osman Qepës, Muharrem Deliu, Bledar Ramës, Zhenkland Muçës, Raul Sabliqit pra të të gjithë lojtarëve shqiptarë", nënvizon Ylli Tomorri.

Partizani, teksa në mes është Kupa e Pavarësisë, e nis pjesën e dytë të Kupës së Shqipërisë më 2 dhjetor në Durrës.