RTSH Sport Live

Partizani, sulmi dhe mesfusha në “pikën zero”

  • 22/11/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, sulmi dhe mesfusha në “pikën zero”
Ilir Daja po vuan ndryshimet e shumta të bëra gjatë muajve të verës

9 pikë në po kaq javë, mesatarisht vetëm një pikë për ndeshje. Partizani po përjeton një makth të vërtetë. Skuadra e kuqe e mbylli raundin e parë të Kategorisë Superiore me vetëm 1 fitore ndaj skuadrës që mbyll klasifikimin. Cara me 3 gola dhe Junior me 2 tregojnë gjithë forcën e sulmit të të kuqve që ndryshe nga sezonet e fundit, kanë humbur ndjeshëm edhe forcën e fantazinë në mesfushë ku lojtari i vetëm që ka gjetur rrugën e rrjetës është Rrapaj me dy realizime ndërsa nga mbrojtja në ndihmë të Dajës ka ardhur vetëm një herë Musta dhe vetëm kaq. 

Më keq se kryeqytetasit ka bërë vetëm Kastrioti që ndryshe nga të kuqtë, ka shënuar 7 gola deri në këtë pikë të sezonit. Gjithsesi, ka një statistikë ku Partizani mund të krenohet dhe ajo është mbrojtja pasi skuadra e Dajës e ka nxjerrë topin nga rrjeta vetëm 8 herë gjatë këtij sezoni. Më mirë se ata ka bërë vetëm Tirana me 6 gola të pësuar, çka do të thotë se baza nga mund të nisen demat për të ndërtuar një grup të suksesshëm, është.

Ndryshimet radikale në merkato që erdhën pas ndryshimit të një pjese të madhe të grupit të sezoneve të fundit, sigurisht që kërkojnë kohë pasi mesfusha është pothuajse tërësisht e arnuar me të mbijetuarit e vetëm Mala e Murataj, ndërsa në sulm Cara ka marrë mbi shpatulla gjithë peshën e një reparti të prekur edhe nga mungesat e shumta për shkak të dëmtimeve.

Të premten është radha e Teutës, ndërsa më pas Skënderbeu dhe Vllaznia mund të rezultojnë dy sfida venmdimtare për të mësuar se çfarë dëshiron të bëjë Partizani kur të rritet. Një sezon pa Europë mund të jetë vërtet fundi për skuadrën që vetëm dy vite më parë u rikthye në majën e vendit pas çerekshekulli mungesë.