RTSH Sport Live

Partizani, zyrtare: rinovon Bardhi, firmos Marku

  • 17/06/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, zyrtare: rinovon Bardhi, firmos Marku
E paralajmëroi Rama në në “Euro Magjia” në RTSH, sot ka mbërritur zyrtarizimi i dy lojtarëve

E kishte paralajmëruar mbrëmë drejtori sportive, Olsi Rama në “Euro Magjia” në RTSH, ndërsa sot është zyrtarizuar gjithçka. Skuadra e Partizanit ka njoftuar rinovimin me sulmuesin 23-vjeçar, Jurgen Bardhi edhe për një sezon tjetër. Ndërkohë, është zyrtarizuar dhe marrëveshja me mesfushorin 25-vjeçar, Herald Marku, i cili vjen nga skuadra e Vllaznisë dhe ka nënshkruar me të kuqtë një kontratë 2-vjeçare.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme, skuadra e Partizanit ka zhvilluar një miqësore në Ohër, duke mundur 1-0 skuadrën nënkampione të Maqedonisë së Veriut, Shkupin. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Esat Mala në minutën e 20-të të sfidës. Kujtojmë që skuadra e drejtuar nga Ilir Daja u paraqit me mungesa të shumta.

Njoftimi i klubit:

ZYRTARE

JURGEN BARDHI RINOVON ME PARTIZANIN

FK Partizani zyrtarizon zgjatjen e bashkëpunimit me Jurgen Bardhin. Klubi dhe lojtari kanë rinovuar kontratën dhe sulmuesi 23 vjeçar do të jetë pjesë e 16-të herë kampionëve të vendit edhe për një tjetër sezon. Bardhi pjesë e klubit që nga ekipet zinxhir të Akademisë, gëzon besimin e plotë të drejtuesve duke u konsideruar një prej lojtarëve më të spikatur të ekipit dhe kampionatit tonë.

ZYRTARE

HERALD MARKU PËRFORCIMI I RADHËS

FK Partizani njofton arritjen e marrëveshjes me Herald Markun. Mesfushori 25 vjeçar ka nënshkruar sot një kontratë dy vjeçare me të kuqtë. Marku një produkt i Akademisë së kuqe rikthehet te Partizani pas një sezoni shumë pozitiv te ekipi Vllaznisë dhe do të mbaj fanelën me Nr. 7

Marku menjëherë ka udhëtuar drejt Ohrit vend në të cilin ekipi po vijon përgatitjet.