RTSH Sport Live

Partizanin e shpëton VAR-i, i heq fitoren Vllaznisë

  • 31/03/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Partizanin e shpëton VAR-i, i heq fitoren Vllaznisë
Shtyllë e të kuqve, dominim i shkodranëve në barazimin e lagur në Elbasan

Një gol i anulluar në kohën shtesë ka tërbuar Vllazninë, që ka parë ti shpëtojë fitorja nga duart pas ndërhyrjes së VAR për të anulluar golin e Aralicës. Një episod i destinuar të krijojë polemika në një ndeshje tepër të ndjerë, si për nga rivaliteti ashtu edhe rëndësia. Nuk ka fitues në gjysëmfinale e vajtjes mes Partizanit e Vllaznisë por, përtej episodit të kohës shtesë, rezultati nuk lë të kënaqur asnjë nga skuadrat: të kuqtë i kanë sytë në shtyllën që dridhet ende në goditjen e Skukës, por që do të kishte qenë një ndëshkim i padrejtë për mënyrën si u luajt loja, e pikërisht në këtë fakt shkodranët kanë keqardhjen se nuk shfrytëzuan dominimin në Elbasan Arena. Kupa është prioriteti i dy skuadrave, që në kampionat ndjekin njëri-tjetrin në kërkim të një vendi në Europë e që shpëtimin e sezonit e kërkojnë pikërisht këtu.

Mehmeti priste shumë nga Junior e Skuka, të mbështetur nga Kallaku që duhet të frymëzonte veprimet e tyre. E në fakt impaktin më të mirë me ndeshje u duk se e kishin kryeqytetasit, në dy momente impenjues për Zogovic pikërisht me Skukën. Plori e orientoi skuadrën në mesfushë, duke marrë kontrollin në pikën nevralgjike, që e vuri në vështirësi Partizanin. Devijimet e Belicës e Hoxhës ndalën konkluzionin e Da Silvës në të 26’, ndërsa shiu i vazhdueshëm e bëri të vështirë punën për lojtarët e arbitrat. Pretendimi për penallti  i Partizanit në të 37’, në kontaktin Krymi-Skuka në zonë, nuk mori aprovimin as të arbitrit e as nga salla VAR, por historia u përsërit në krahun e kundërt pas 4 minutash kur Ferati injoroi protestat e shkodranëve për një prekje me dorë të Hadrojit.

Partizani e mbylli pjesën e parë në sulm, me tentativën nga distanca të Junior, tepër qendrore për të impenjuar Zogovic, por që dha idenë se të kuqtë do të ishin më kërkues pas rifillimit. Cara për një Kallaku nën ton ishte lëvizja e Mehmetit, që përligji idenë për fitore të të kuqve, vetëm se llogaritë nuk ishin bërë me kuqeblutë që zotëruan fushën dhe u bënë konstant në anët e Hoxhës. Jashtë goditja e Krymit në të 50’, ndërsa edhe kalibrimi i Latifit nuk ishte i duhuri në goditjen e dënimit në minutën e 70-të, të evituar pa probleme nga portieri.

Kundërsulmi i Partizanit megjithatë funksiononte dhe Skuka, në sugjerimin e Carës, devijoi më lehtë se duhej për të panikosur Zogovic. Ajo që trembi portierin malazez ishte shtylla e tronditur nga Skuka në të 84’, kur goditja me kokë e sulmuesit në sugjerimin e Markut nuk përfundoi në rrjetë për çështje fati.

Sforco e fundit e të dy skuadrave pa më të rrezikshme Vllazninë, që në fund mund të merrte edhe fitoren, kur Aralica shënoi me kokë duke bindur arbitrin por jo vigjilencën e VAR, që megjithatë nuk do ti shpëtojë zhurmës. Një barazim, ashtu si në dy ndeshjet e këtij sezoni në fushën e Partizanit e tani në Shkodër zgjidhet finalja, me shkodranët që e kanë një precedent fitues në Loro Borici.