RTSH Sport Live

Patushi për RTSH Sport: Vllaznia-Partizani s’ka favoritë, dueli ka humbur nga shkëlqimi i të shkuarës

  • 01/03/2023
  • |
  • Kupa e Shqipërisë
Patushi për RTSH Sport: Vllaznia-Partizani s’ka favoritë, dueli ka humbur nga shkëlqimi i të shkuarës

Vetëm pak orë përpara takimit të vlefshëm për një vend në gjysëmfinalet e Kupës të Shqipërisë, Saimir Patushi pranoi që të jepte parashikimin e tij mbi duelin më të bukur të kësaj faze, ndeshjen mes Vllazninsë dhe Partizanit. Si njohës i mirë i futbollit dhe si ish-lojtar i të dy klubeve Patushi nis me nota nostalgjie përshkrimin e këtij dueli. “Më duhet të them se ndeshjet mes Vllaznisë dhe Partizanit kanë humbur shkëlqimin që kanë patur kohë më parë”, tha 47-vjeçari.

Mes të tjerash Patushi parashikon se ky duel nuk do të vendoset në “Loro Boriçi”. “Them se është një tur mjaft i vështirë për të dy ekipet. Mendoj se kualifikimi nuk do të vendoset në Shkodër, por në Tiranë. Është një duel mjaft i ekuilibruar ku nuk ka favoritë edhe pse shikoj pak më të avantazhuar ekipin shkodran”, tha Patushi, i cili pranoi se e priste me mjaft emocion takimin si ish-lojtar i të dy klubeve.

Patushi pranoi që të bënte edhe një parashikim për rrugëtimin e dy klubeve në “Abissnet Superiore”. “Kampionati është një tjetër histori pasi deri më tani na ka treguar se nuk ka një lider të vërtetë. Mendoj se deri në fund të tre ekipet e kreut (i referohej Tiranës, Partizanit dhe Vllaznisë) do të luajnë për titullin kampion”, pohoi 47-vjeçari për mikrofonin e “RTSH Sport”.