RTSH Sport Live

Penallti e polemika, Tirana humb kreun

  • 25/05/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Penallti e polemika, Tirana humb kreun
Përfundon 2-2 me Bylis e tani bardhebluve nuk i mjafton vetëm fitorja javën e fundit 

Tirana rrezikon të ketë humbur titullin në javën e parafundit falë një penalltie të kontestuar, të parë për 6 minuta në VAR e që i lejoi Bylis të barazojë 2-2 e Partizanit t’i barazojë me pikë në krye të renditjes, por duke i kaluar falë bilancit më të mirë të ndeshjeve direkte. Nervozizëm dhe polemika për gjithçka ndodhi në minutën e 74-ët të takimit, për një kontrast mes Behiratche e Kaçorrit me vendimin e Kridens Metës dhe rishikimeve të gjata të imazheve që mund të kenë përcaktuar kampionin e ri të vendit. Mbrojtësi për të cilin Tirana pagoi për ti shlyer pjesën e mbetur të dënimit u bë protagonist negativ i një ndeshje që nisi mirë për bardheblutë, që kishin rreshtuar titullarët e zakonshëm, pa Lushkjan por me Hasanin e Hilën e një 3-5-2 që u duk se mbante mirë fushën.

Aleksi në minutën e 5-të e Hasani, dy minuta më pas, nuk gjetën kuadratin e Teqjas. Bylis megjithatë nuk është se kishte ardhur për të parë, duke qenë se duheshin pikët për të tentuar mbijetesën në javën e fundit. E Kacorrit goditja me kokë që impenjoi Bekajn në të 15-ën, edhe pse nga ai moment skuadrat u lëshuan në një përgjigje-kundërpërgjigje që krijoi emocione për zemra të forta te tifozët. Hila zhbllokoi rezultatin në minutën e 22-të, pas një kundërsulmi të nisur nga Abazaj. Mesfushori konfirmoi formën e mirë duke mundur Teqjan, por reagimi i ballshiotëve ishte i menjëhershëm: në të 26’ një gabim i Përgjonit i dha mundësinë Danladit të barazojë rezultatin. Një gol i rëndë që topiti bardheblutë, koshientë tani se edhe mund të ndëshkohen.

Mes ekuilibrit në fushë e nevojës për të shënuar, vetëm në fund të pjesës së parë Tirana u kthye e rrezikshme me Përgjonin, me topin që kaloi mbi traversën e Teqjes. Sinjal i qartë i konkretizuar pas rifillimit me nesfushorin goleador të dy takimeve të fundit. Hila finalizon pas një tjetër kombinimi me Abazajn, duke i dhënë avantazhin e dytë Shehit. Goli i katërt në dy ndeshjet e fundit për mesfushorin, që mund të kishte bërë edhe tris në të 66’, por këtë herë shënjestra ishte ajo e gabuara, pas një insistimi brenda zonës të bardhebluve ndaj të cilëve Teqja bëri atë që mundi.

Pikërisht atëherë, në të 74’ erdhi si një rrufe në qiell të hapur penalltia për Bylis. Kridens Meta e konsideroi të tillë kontaktin mes Behiratche dhe Kaçorrit i konfirmuar edhe pas pamjeve me VAR. Naive ndërhyrja e ivorianit, që shkaktoi dëmin maksimal në rrezikun më minimal, sepse sulmuesi ishte me shpinë nga porta dhe nuk kërcënonte Bekajn. Edhe Shehi hyri në fushë për të protestuar, por kjo nuk e ndali Adilin të barazonte me penallti.

 Nga aty një invasion i vërtetë në portën ballshiote, që u mbrojt si mund në tentativën e Deliut në të 85, e pastaj në 10 minutat shtesë ishte Hasani që detyroi Teqjan të devijonte mbi traverse e po goleadori më I mirë I kampionatit që fshikulloi shtyllën në të 99, përpara se Najdovski me portën bosh të mos shënonte mundësinë e fundit të ndeshjes.

Tirana e sheh renditjen nga vendi i dytë një javë nga fundi. Partizani duhet të fitojë një ndeshje të komplikuar me Teutën, ndërsa bardheblutë duhet të shpresojnë që durrsakët të bëjnë atë që bëri Bylis sot.