RTSH Sport Live

Penza, fituesja e Superkupës Mbarëkombëtare

  • 14/10/2021
  • |
  • Basketboll
Penza, fituesja e Superkupës Mbarëkombëtare
Të besuarat e Bujar Locit fitojnë me përmbysje ndaj Prishtinës, 71-65

Penza është fituesja e Superkupës Mbarëkombëtare në basketboll për femra në aktivitetin që të enjten në mbrëmje ka përfunduar në Vlorë dhe ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionin Shqiptar. Një fitore me përmbysje për të besuarat e Bujar Locit, të cilat në fundin e 40 minutave kanë fiksuar shifrat 71-65 ndaj Prishtinës. Në fakt ndeshja fillimisht është luajtur pikë më pikë, ndërsa në fundin e periodës së parë janë në avantazh vajzat e Prishtinës, 28-21.

Madje në periodën e dytë arrijnë të shkëputen deri në dhjetë pikë diferencë, 39-29. 13-15 perioda e dytë për Penzën, ndërsa në pushim Prishtina ka patur avantazhin 41-36. Avantazh të cilin nuk e ka ruajtur, sepse Penza është më e qartë në lojën e saj. Dhe për rrjedhojë arrin të përmbysë. 11-21 perioda e tretë për Penzën e në total 52-57. Herëpashere përpiqet Prishtina të afrohet. Por në fund nuk ndodh një gjë e tillë, ndërsa Penza ka fituar dhe periodën e katër 13-14 dhe krejt ndeshjen 65-71.

Medaljet e argjendta për Prishtinën janë shpërndarë nga Presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, dhe drejtori i klubit shumësportësh Flamurtari, Klevis Kaso. Kurse të artat nga zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Kostandin Shkurti, dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Dalina Osmani.

Ndërkohë lojtarja më e mirë e ndeshjes ishte Uitzit e Penzës me 21 pikë të shënuara, kurse kupën kapitenes Valbona Bytyqi ia ka dorëzuar presidenti i Ligës Unike, Ilir Trebicka. E tanimë është radha e Superkupës Mbarëkombëtare të meshkujve, e cila të shtunën e të dielën do të zhvillohet në Durrës dhe Shkodër e çiftet janë Vllaznia – Prishtina dhe Teuta – Golden Eagle Ylli.