RTSH Sport Live

Perez synon fitoren në Baku, si në 2021

  • 08/06/2022
  • |
  • Formula 1
Perez synon fitoren në Baku, si në 2021
Por në 5 vitet e fundit atje kanë fituar 5 pilotë të ndryshëm

Nga Checo te Checo. Fituesi në Çmimin e Madh të Monakos, është edhe triumfuesi i garës së sezonit të kaluar në Baku. Një rastësi e rrallë duke pasur parasysh se Perez krenohet me vetëm tre suksese në karrierë. Por mes Azerbajxhanit 2021 dhe atij të 2022 gjithçka ndryshoi për meksikanin. Askush nuk mund ta mohojë kontributin e tij dhënë Verstapenit në fitimin e titullit të vitit të kaluar. Por këtë vit gjërat kanë ndryshuar.

Pas revolucionit teknik, meksikani u përshtat shpejt me makinën e re, aq sa shpesh qëndronte përpara SuperMaxit, kur në Barcelonë u detyrua t’ia linte garën holandezit, ndërsa në Monako e mori me forcë fitoren. Red Bull i ofroi një rinovim kontrate 2-vjeçar. E tani meksikani është edhe në garë për kampionatin, i treti në renditje vetëm pak pikë pas Verstappen dhe Leclerc. Nuk ka gjasa që skuadra ta lejojë atë të konkurrojë në mënyrë të barabartë me Max, por shpejtësia e tij është sigurisht një armë e rëndësishme në sfidën me Ferrarin, siç e pamë në Monako.

Por të mos harrojmë edhe faktin se në Baku, në  5 edicionet e fundit, kanë qenë 5 fitues të ndryshëm të garës dhe 5 pilotë të ndryshëm në poleposition. Rosberg, Ricciardo, Hamilton, Bottas, Perez. Ndërsa në poleposition kanë qenë sërish 5 pilotë të ndryshëm Rosberg, Hamilton, Vettel, Bottas, Leclerc. Kështu Çmimi i madh në Baku rezervon surpriza si përsa i përket polepozition, fituesit të garës për pilotë dhe për skuadra.