Pas takimit të ditëve të fundit dhe ofertës zyrtare të Interit të ngritur në 5 milionë neto në sezon plus bonuse, zikaltërit janë në pritje të përgjigjes së Ivan Perisic, por anësori kroat duket gjithnjë e më larg nga Milano. Pas shpërthimit të drejtpërdrejtë në ndeshjen pas finales së Kupës së Italisë, sirenat e merkatos nisën të kumbojnë fort dhe në këto orë kroati ka gjetur marrëveshjen për t'u transferuar në Premier League dhe për të veshur fanellën e Tottenham.
Siç raportohet nga mediat italiane, Perisic ka pranuar propozimin e Conte dhe Paratici, të cilët i ofrojnë një shifër më e lartë se ajo e zikaltërve për dy vjet plus një bonus. Kështu, Totenham duket se ka djegur konkurencën e Chelsea, që për shkak të situatës që po kalon nuk arriti asnjëherë të bënte një ofertë zyrtare, si dhe të Juventusit i cili po mendon më shumë për rikthimin e Pogba.