RTSH Sport Live

Përvijohet sezoni i Kategorisë së Dytë

  • 03/09/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Përvijohet sezoni i Kategorisë së Dytë
24 skuadrat ndahen në dy grupe, nis më 19 shtator 2021, mbyllet më 1 maj 2022

Niveli i 3-të i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Dytë, ka përvijuar edhe rrugëtimin e sezonit të tij të ri, që do të ngrejë siparin duke nisur nga 19 shtatori 2021, për t’u përmbyllur më 1 maj të vitit 2022. Këtë të premte, në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit”, pra, Federatës Shqiptare të Futbollit në kryeqytet, është hedhur shorti që ka përcaktuar edhe kalendarin e plotë të ndeshjeve të kësaj kategorie për të dyja grupet, A dhe B, për dy fazat. 24 skuadrat e këtij niveli janë ndarë për arsye logjistike në dy grupe, në grupin A apo grupin e Veriut dhe në grupin B, apo grupin e Jugut, që do të jenë të përbërë secili nga 12 skuadra.

Duke i hedhur një vështrim të shpejtë, vërejmë se Flamurtari dhe Luftëtari do të jenë pjesë e grupit të Jugut, pra grupit B, ndërkohë që Oriku dhe Elbasani kanë përfunduar në Veri, në grupin A Ndërkaq, vlen të theksohet fakti se në grupin B ka kaluar edhe Sopoti i Librazhit, që për disa sezone militoi në grupin A. Kështu, më konkretisht, në grupin A do të bëjnë pjesë Oriku, Veleçiku i Koplikut, Elbasani, Luzi 2008, Bulqiza, Gramshi, Iliria e Fushë-Krujës, Ada e Velipojës, Internacionali i Tiranës, Klosi, Shënkolli dhe Murlani. Ndërkaq, në grupin B, do të jenë Flamurtari, Sopoti, Labëria, Devolli, Naftëtari, Tepelena, Albpetrol, Përmeti, Këlcyra, Gramozi i Ersekës, Memaliaj dhe Akademia e Futbollit “Luftëtari”.

Shorti u hodh në praninë e përfaqësuesve të klubeve të Kategorisë së Dytë, nga shefi i Sektorit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Marjus Sulejmani si dhe specialisti në Sektorin e Garave, Endi Hyka. Duhet theksuar se në këtë nivel të 3-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit do të jenë edhe 3 tituj kampion, dy nga Elbasani dhe një nga Flamurtari, që kanë fituar së bashku edhe 6 trofe të Kupës së Shqipërisë dhe 5 Superkupa.

 

GRUPI A:

Elbasani

Oriku

Shënkolli

Iliria e Fushë-Krujës

Internacional Tirana

Ada e Velipojës

Veleçiku i Koplikut

Klosi

Gramshi

Luzi 2008

Bulqiza

 

GRUPI B

Flamurtari

AF Luftëtari

Devolli

Labëria

Sopoti

Memaliaj

Tepelena

Këlcyra

Albpetroli

Gramozi

Naftëtari

Përmeti