Peshëngritja shqiptare është në prag të aktivitetit më të rëndësishëm ndërkombëtar për vitin 2021. Bëhet fjalë për Kampionatin Europian të të rriturve, i cili do të zhvillohet në kryeqytetin rus, Moskë nga 1 deri më 10 prill. Është një aktivitet që në fakt duhet të ishte bërë që vitin e kaluar, por u shty për shkak të kushteve të Pandemisë Covid-19.
Shtanga shqiptare ka përcaktuar dhe pesë sportistët e saj, të cilët do të marrin pjesë në këtë Europian. Ata janë Evangjelia Veli në peshën 55 kilogram, Briken Calja në peshën 73 kilogram, Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj në peshën 81 kilogram dhe Krenar Shoraj në peshën 89 kilogram.
Jo vetëm luftë për medalje e për vende nderi, por dhe kërkesë për të arritur normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të cilat do të zhvillohen në korrik të këtij viti. Më pranë kualifikimit është Erkand Qerimaj, ndërsa normën e kualifikimit për në Tokio e ka arritur më parë Briken Calja.
Megjithatë duhen parë të gjithë, ndërsa ky Kampionat Europian, ashtu si të gjitha evenimentet ndërkombëtare të shtangës, do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Ajo çfarë u shfaq në kampionatin kombëtar të të rriturve në Durrës në shkurt jep shenja pozitive për rezultate të larta të peshëngritjes shqiptare në Europianin rus.