RTSH Sport Live

Peshëngritja teston kombëtaren e të rriturve

  • 10/03/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Peshëngritja teston kombëtaren e të rriturve
Norma e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024” objektivi kryesor

Peshëngritja shqiptare tanimë ka mbërritur në fazën e garës së kontrollit të kandidatëve për të arritur normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Dhe për këtë gjë ishte Kampionati Kombëtar i të rriturve, atje ku kandidatë potencial mbesin Briken Calja, Erkand Qerimaj, Krenar Shoraj, Daniel Godelli e Kristi Ramadani. Por një formë të jashtëzakonshme kanë treguar dhe të rinjtë, të cilët pas dy javësh do të jenë në pedanën e Kampionatit Botëror të moshës 15 dhe 17 vjeç në Durrës. Një garë që ka patur dhe fokusin e kryetrajnerit të ekipit kombëtar, polakut Zigmunt Smalcer. E për mikrofonin e RTSH Sport, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, si dhe trajneri polak Smalcer tregojnë gjendjen aktuale të shtangistëve shqiptarë.

"Jam shumë i kënaqur me mënyrën e stërvitjes së sportistëve. Ka ndryshuar tërësisht mënyra e të sjellurit të sportistëve. Tashmë nuk janë më ata sportistët tekanjozë, por janë nënshtruar një stërvitje serioze pasi e gjithë Federata është bërë tashmë kompakte. Dua të falënderoj në radhë të parë trajnerët, të cilët janë duke bërë një sakrificë të jashtëzakonshme. Mbi të gjitha sportistët. Ne do e themi fjalën tonë në Europian dhe në Olimpiadë", thotë presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.

 “Unë kam qenë edhe disa herë të tjera në Shqipëri, kjo vite më përpara. Madje kam qenë së bashku me kombëtaren e Norvegjisë në prag të Kampionatit Europian, që vitin e kaluar u bë në Tiranë, ndërsa kam parë se si sportistët shqiptarë trajnohen. Janë në një situatë shumë të mirë dhe ne jemi gjithnjë në vëzhgimin e tyre se si kanë punuar dhe se si po punojnë për të arritur rezultatet e duhura”, shpjegon Zygmund Smalcerz.

Por sa e mundur është arritja e normës së kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Smalcer e ka një përgjigje

 “Çdo sportist do të duhet të marrë pjesë në 5 aktivitete ndërkombëtare për të arritur normën e kualifikimit. Pra jo vetëm në Europian e Botëror, por dhe Çmimet e Mëdha. Deri tani një kandidat potencial është Erkand Qerimaj, sportisti më i mirë i peshëngritjes shqiptare. Por një konkluzion më të saktë do ta japim në ditët në vazhdim, sidomos pas përfundimit të kampionatit”, tregon specialisti polak i shtangës shqiptare.

Ndërkohë aktiviteti më i freskët i peshëngritjes është Kampionati Botëror i moshës 15 dhe 17 vjeç në Durrës. Polaku i kombëtares së shtangës shqiptare, por dhe Gjoza japin mendimet e tyre për atë se çfarë mund të bëjnë talentet e së ardhmes.

“Tashmë jemi në përgatitjet e fundit. Ana psikologjike është duke bërë mjaft punë tek sportistët. Tanimë do të kemi dhe një ulje të ngarkesave për të dhënë maksimumin dhe kontributin e tyre në garë. Ne kemi tre sportistë në zonën e medaljeve. Ata janë pretendentë nga vendi i parë tek i pesti. Mendoj se do të marrim medalje në këtë Botëror", siguron Gjoza.

 “Sportistët e rinj janë në një formë të jashtëzakonshme. Enkelejda Carja, që në kampionat bëri dhe një rekord të ri europian në shkëputje është candidate potenciale. Por dhe sportistët e rinj, të cilët jo vetëm në këtë Botëror, por dhe në të tjera aktivitete ndërkombëtare do të dinë të ngjiten në podium”, ka përfunduar Smalcerz.