RTSH Sport Live

Peshëngritja zhvendoset në Lushnjë

  • 26/09/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Peshëngritja zhvendoset në Lushnjë
Tirana, Elbasani dhe Partizani më të mirët e aktivitetit për moshat 20 dhe 23 vjeç

Peshëngritja shqiptare ka dalë nga zonat e saj të organizimit të aktivitetit, ndërsa për të parë ka zbritur në Lushnjë. Pikërisht sheshi kryesor i qytetit myzeqar të dielën u shndërrua në një Pallat Sporti, ndërsa në të u organizua Kampionati Kombëtar i peshëngritjes për moshat 20 dhe 23 vjeç. Një aktivitet sportiv ky i veçantë për nga mënyra e organizimit në ambient të hapur, i cili tërhoqi edhe vëmendjen e shumë qytetarëve të Lushnjes. Dhe në fakt kupën e aktivitetit, kjo dhe për mënyrën e organizimit të kampionatit, e ka marrë Lushnja. Për presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza dhe kryetaren e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, ka rëndësi promovimi i sportit dhe rritja e dëshirës së të rinjve për t’u marrë me të.

“Ne përzgjodhëm Lushnjën – tha presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza – sepse kryetarja e Bashkisë, por dhe deputeti kanë një vizion shumë të qartë. Kërkojnë që rininë ta largojnë nga rruga, nga duhani, nga droga dhe ta përqëndrojnë tek sporti për t’i rritur vlerat morale atyre. Ndaj jemi sot në Lushnjë”.

“Ne kemi marrë angazhimin për të investuar në sport. E kemi nisur me kompleksin sportiv. Shumë shpejt do të rikonstruktojmë palestrën e shkollës “Foto Puka” për sistemimin e Lojërave me dorë. Sot kemi sjellë këtë kampionat të peshëngritjes si një dëshirë për të patur të gjitha disiplinat sportive. Dhe shumë shpejt do të merremi edhe me to”.

Në këtë garë morën pjesë rreth 15 klube nga i gjithë vendi me 80 peshëngritës e peshngritëse, të cilët garuan me njëri-tjetrin për rreth 5 orë në ambient të hapur. Në moshën deri në 20 vjeç kampionë u shpallën Tirana për meshkuj dhe Elbasani për femra, kurse për moshën deri në 23 vjeç, Partizani si për meshkuj, ashtu dhe për femra. Kristi Ramadani dhe Enkileda Carja ishin sportistët më të mirë të kampionatit.