Vijon të jetë i suksesshëm për Shqipërinë Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rritur, që po zhvillohet në kryeqytetin e Rusisë, Moskë. Dhe, pas medaljes së bronzit të fituar pak ditë më parë nga Evangjeli Veli, flamurin kuqezi në podium e ka ngjitur edhe Briken Calja. Ai ka marrë medaljen e argjendtë në stilin e shtytjes dhe atë të bronztë në dygarësh në kategorinë e peshës trupore deri në 73 kg.
Peshëngritësi kuqezi e ka nisur mirë garën në stilin e shkëputjes, duke ngritur me sukses 152 kg në provën e parë, por dy prova të shkuara dëm me 157 kg e kanë detyruar shtangistin kuqezi të kënaqet vetëm me një vend të 4-t në këtë stil. Duhet theksuar se Calja e ka humbur medaljen e bronztë dhe vendin në podium për vetëm 100 gramë peshë trupore, pasi edhe bullgari Andriiv Bozhidov ngriti po 152 kg.
Ndërkaq, në stilin e shtytje, peshëngritësi shtërmenas ka nisur me një provë të parë të pasaktë me 183 kg. Por sportisti kuqezi ka treguar karakter, duke shkuar një hap më larg dhe duke vijuar të ngrejë 184 kg në provën e dytë. Ai ka provuar të ngrejë 188 kg në të 3-tën, por pa sukses, duke marrë sidoqoftë vendin e dytë në stilin e shtytjes dhe medaljen e argjendtë si dhe titullin e nënkampionit të Evropës në këtë stil.
336 kg e ngritura në dygarësh kanë bërë që ai ta mbyllë dygarëshin në vend të 3-të dhe të marrë edhe medaljen e bronztë dhe vendin në podium.