Në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, po zhvillohet Kampionati Evropian i Peshëngritjes për Të Rritur. Shqipëria merr pjesë me 5 sportistë në këtë Evropian dhe të dielën ka ardhur edhe medalja e parë, ajo e bronztë e fituar nga Evagjeli Veli në stilin e shkëputjes. Kështu, ka nisur me këmbë të mbarë për Shqipërinë Kampionati Europian i Peshëngritjes për Të Rritur, që po zhvillohet në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, pasi ka ardhur një medalje bronzi nga Veli, e cila e ka ngjitur flamurin kuqezi në podium.
Në fakt, ka qenë një garë ku mund të kishte arritur më tepër, por dy prova të shkuara dëm në shtytje e kanë detyruar shtangisten kuqezi të kënaqet vetëm me një vend të 3-të, teksa ka arritur që të fitojë medalje bronzi në stilin e shkëputjes. 29-vjeçarja, e cila garoi në kategorinë e peshave 55 kg, arriti të ngrejë 87 kg në provën e parë, dhe, ndonëse ka dështuar në provën e dytë me 89 kg, ka arritur ta ngrejë këtë peshë në provën e 3-të dhe duke zënë vendin e tretë në këtë stil. Por nuk ka qenë edhe ai kënaqshëm stili i shtytjes për Velin.
Edhe pse ajo e nisi mirë me në provë të parë të saktë me 105 kg. Sidoqoftë, sportistja kuqezi nuk ka arritur t’i ngrejë 108 kg në dy provat e tjera, duke u renditur e 8-ta në këtë stil me 105 kg e provës së parë. 3 kg e humbura në dy provat e fundit kanë bërë që ajo ta mbyllë dygarëshin në vend të 5-të me 194 kg gjithsej. Me rezultatet e regjistruara në Moskë, Veli shënoi edhe tre rekorde të reja kombëtare. Duhet theksuar këtu, që rreth 2 muaj më parë, Evangjeli Veli kishte njoftuar largimin nga kombëtarja, pas disa mosmarrëveshjeve me federatën.
Por palët gjetën gjuhën e përbashkët, duke i sjellë Shqipërisë medaljen e radhës në peshëngritje. Në ditët në vijim radhën për të garuar në këtë Evropian e kanë Briken Calja, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli dhe Krenar Shoraj, të cilët shpresohet se do t’i sjellin të tjera medalje Shqipërisë.