RTSH Sport Live

Peshëngritje/ Paraqitje e kënaqshme e Krenar Shorajt në Moskë

  • 08/04/2021
  • |
  • Të tjera
Peshëngritje/ Paraqitje e kënaqshme e Krenar Shorajt në Moskë
Mbyllet garimi kuqezi në Europianin e Moskës, paraqitje e kënaqshme e Krenar Shorajt në peshën 89 kg

Paraqitje e kënaqshme e Krenar Shorajt në peshën 89 kg, gjithçka erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.

Kampionati Europian i Peshëngritjes për Të Rritur po zhvillohet në Moskë dhe të enjten është ngjitur në pedanë peshëngritësi Krenar Shoraj, i cili ka bërë një paraqitje të kënaqshme.  Me Shorajn, i cili ka konkurruar në baterinë A të kategorisë së peshës trupore deri në 89 kg, është mbyllur edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë Europian.

Shoraj ka bërë një paraqitje të kënaqshme në stilin e shkëputjes, edhe pse e ka shkuar dëm provën e parë me 150 kg. Ai e ka ngritur këtë peshë në provën e dytë, duke vijuar të bëjë edhe një provë të 3-të të saktë me 156 kg, që i kanë mjaftuar për të marrë vendin e 6-të në këtë stil. Edhe stilin e shtytjes ai është paraqitur mirë, teksa ka ngritur me sukses 190 kg në provën e parë, duke vijuar të bëjë një tjetër provë të mirë të dytë, me 192 kg. Por ai ka vendosur të mos e shfrytëzojë provën e 3-të, edhe për arsye dëmtimi, dhe me 192 kg ai ka marrë vendin e 7-të në stilin e shtytjes.

Ndërsa me 348 kg gjithsej, Shoraj ka marrë vendin e 7-të edhe në dygarësh. Shqipëria mori pjesë me 5 sportistë në këtë Kampionat Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur, duke marrë një medalje të bronztë në stilin e shkëputjes me Evagjelia Velin, që u rendit e 5-ta në dygarësh në kategorinë e peshës trupore deri në 55 kg, por një medalje të argjendtë në shtytje dhe një medalje të bronztë në dygarësh me Briken Caljen, në kategorinë e peshës trupore deri në 73 kg. Ndërkaq, Erkand Qerimaj u rendit i 6-ti në stilin e shkëputjes, i 10-ti në stilin e shtytjes dhe i 9-ti në dygarësh, edhe pse garoi në baterinë B të kategorisë së peshës trupore deri në 81 kg, aty ku Daniel Godelli ka patur një garë për t’u harruar në baterinë A.

Peshëngritësi peqinas ka provuar, pa sukses, të ngrejë 152 kg në provën e parë të stilit të shkëputjes, por është tërhequr më pas nga prova e dytë dhe, duke qenë se nuk kualifikohej dot për në dygarësh, Daniel Godelli është tërhequr edhe nga stili i shtytjes. Garat e peshëngritësve shqiptarë në këtë Evropian erdhën për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.