RTSH Sport Live

Peshëngritje/ Zhgënjen Godelli, paraqitje e kënaqshme e Qerimajt

  • 07/04/2021
  • |
  • Të tjera
Peshëngritje/ Zhgënjen Godelli, paraqitje e kënaqshme e Qerimajt
336 kg e ngritura gjithsej kanë bërë që Qerimaj ta mbyllë dygarëshin në vend të 3-të. Godelli është tërhequr

Në  Kampionati Europian të Peshëngritjes për Të Rritur që po zhvillohet në Moskë, sot  janë ngjitur në pedanë dy peshëngritësit kuqezi, Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj, të kategorisë së peshë trupore deri në 81 kg. Fillimisht është ngjitur  Qerimaj,  i cili ka garuar në baterinë B. Shkodrani ka bërë një garë të mirë në stilin e shkëputjes duke ngritur 150 kg në provën e parë dhe duke vijuar të ngrejë 4 kg më tepër në të dytën.

 Madje ai ka shkuar edhe më larg në provën e 3-të, duke ngritur 156 kg, çka ka bërë që ai të marrë vendin e dytë në këtë stil. Ndërkaq, në stilin e shtytje, ka nisur me një provë të parë të saktë me 180 kg. Por nuk ka arritur t’i ngrejë dy provat e tjera, fillimisht me 184 kg dhe, më pas edhe me 185 kg, duke marrë sidoqoftë vendin e 4-t në stilin e shtytjes.  Ndërkaq, 336 kg e ngritura gjithsej kanë bërë që ai ta mbyllë dygarëshin në vend të 3-të.

Në mbrëmje ka qenë radha e Daniel Godellit, i cili ka patur një garë për t’u harruar në baterinë A, që erdhi drejtpërdrejt për sportdashësit në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 3. Peshëngritësi peqinas ka provuar, pa sukses, të ngrejë 152 kg në provën e parë të stilit të shkëputjes. Ai është tërhequr më pas nga prova e dytë dhe e 3-të dhe, duke qenë se nuk kualifikohej dot për në dygarësh, Daniel Godelli është tërhequr edhe nga stili i shtytjes, duke bërë një paraqitje zhgënjyese në këtë Europian.

Ndërkaq, në mbyllje të garës së kësaj peshe, Erkand Qerimaj u rendit i 6-ti në stilin e shkëputjes, i 10-ti në stilin e shtytjes dhe i 9-ti në dygarësh. Tanimë radhën e ka sportisti i fundit kuqezi, Krenar Shoraj.