RTSH Sport Live

Pique: Mou shkatërroi marrëdhëniet mes lojtarëve, na vuri kundër atyre të Realit

  • 13/05/2022
  • |
  • Spanjë
Pique: Mou shkatërroi marrëdhëniet mes lojtarëve, na vuri kundër atyre të Realit
Flet mbrojtësi katalanas: “Në kombëtare u përpoqa të përshëndes Casillas, por ai nuk donte të fliste me mua"

Rivaliteti mes José Mourinhos dhe Pep Guardiolës i vuri flakën Ligës mes viteve 2010 dhe 2012, vite në të cilat ata ishin në krye të Real Madridit dhe Barcelonës, duke arritur nivele ekstreme. Madje deri në atë pikë sa trajneri portugez do është përpjekur të vinte kundër njëri tjetrit lojtarët e dy skuadrave. Një gjë e tillë është thënë nga  Gerard Pique në një intervistë për Sky Bet. “Mbaj mend që herën e parë që Mourinho erdhi në Camp Nou, i freskët nga tripleta me Interin, ai humbi 5-0 dhe duhej të përballej me realitetin. Ishte një goditje e fortë.

“Në konferencën për shtyp ai sulmonte çdo ditë dhe kjo ishte e tepërt për Guardiolën. Nuk ishte diçka që kishte të bënte me futbollin, në atë kohë synonte të shkatërronte edhe marrëdhëniet mes lojtarëve. Nëse ai shkonte te një futbollist dhe i thoshte 'Ai person të urren ty', ai e besonte. Për shembull, në ekipin kombëtar u përpoqa të përshëndes Casillas, por ai nuk donte të fliste me mua. Duhej të zhvillonim shumë seanca mes nesh, lojtarëve të Barças dhe atyre te Realit për të rivendosur marrëdhëniet dhe për t'u kthyer më të bashkuar në dhomat e zhveshjes për të fituar”.

Ndër çështjet e ndryshme të trajtuara, mbrojtësi foli edhe për Superligën, duke përsëritur kundërshtimin e tij pavarësisht se Barcelona është një nga klubet që shtyn më shumë për krijimin e kompeticionit. “Këtu në Spanjë çështja ka marrë një kthesë politike. Shtypi kontrollohet nga disa persona që mbështesin Superligën, ndryshe nga Britania e Madhe ku ata thanë se ishin kundër. Për mendimin tim, në këtë mënyrë shkatërrohet futbolli sepse do të përfitonin vetëm lojtarët e mëdhenj. Nuk mendoj se Real Madridi dhe Barcelona janë sjellë mirë në këtë rrethanë, edhe nëse dal kundër klubit tim dhe e kuptoj pozicionin e tyre si ai i Juventusit”, përfundoi Pique.