Një fillim i vështirë, për të korrigjuar gjithçka gjatë rrugës dhe tani me petkun e pretendentit, të paktën për vendin e dytë në Grupin B. I tillë është Pogradeci, që në javën e fundit ka mundur Lushnjën me rezultatin 3-2 dhe pozicionohet në vendin e tretë në klasifikim, një pikë më pak se Tomori i vendit të dytë.
Në një lidhje direkte me emisionin, “E hëna Sportive” në RTSH, një nga lojtarët më të spikatur të kësaj skuadre, Marin Abazaj, është shprehur: “Lushnja ka një skuadër të mirë, e kemi parë dhe në ndeshjen që kemi zhvilluar në fushën e tyre. Ka vite që është në elitë, në Kategorinë e Parë dhe e kishim vlerësuar maksimalisht”.
“E kemi nisur shumë keq sezonin, në tri ndeshjet e para kemi pësuar tri humbje. Por më pas arritëm të marrim veten. Në pesë ndeshjet e fundit kemi marrë 13 pikë dhe mendoj se është një tregues imirë. Kemi marrë vetëm një barazim me Egnatian në transfertë dhe jemi të kënaqur”.
“Kam shënuar tre gola, nuk është se kam shënuar shumë, ua dedikoj të gjithë atyre që më kanë mbështetur”.
“Objektivi? Do të donim një pozicionim në vendin e dytë, konkurenca është shumë e madhe”.
“Largimi nga Tirana? Çdo lojtar e ka ëndërr të luajë me një skuadër të tillë. Por nuk jam pishman për zgjedhjen, doja më shumë minuta në këmbët e mia”.
“Tomori? Ka një trajner të shkëlqyer, kam punuar me të tek moshat e Kombëtares, por vendin e dytë e do Pogradeci”.