RTSH Sport Live

Pol Espargaro niset i pari të dielën

  • 28/08/2021
  • |
  • Moto GP
Pol Espargaro niset i pari të dielën
Më i shpejti në provat zyrtare të së shtunës, gara, drejtpërdrejt në RTSH Sport

Pol Espargaro ka siguruar për herë të parë si pilot i “Honda”-s nisjen nga vendi i parë në një garë të Moto GP-së, pas provave zyrtare që u mbyllën në mënyrë të paqartë, pasi fillimisht u deklarua se më i shpejti ishte Horhe Martin. Pilot i ri i skuadrës kliente të “Pramak”-ut, Martin, pati regjistruar kohën 1 minutë, 58 sekonda e 8 të mijëtat në fundin e seancës së dytë të provave zyrtare, duke thyer kështu rekordin e xhiros dhe duke qenë 8 të dhjetat e sekondës më i shpejtë se të tjerët.

Por kjo kohë u fshi, sepse Martin kishte dalë nga itinerari i pistës së Silverstounit gjatë kësaj xhiroje të shpejtë. Ndonëse fillimisht piloti i “Suzuki”-t, Joan Mir, e më pas ai i “Aprilia”-s, Aleiks Espargaro, ata të “Dukati”-t, Xhek Miller dhe Françesko Banjaja, dhe ai i “Jamaha”-s, Fabio Kuartararo, regjistruan njëri pas tjetrit xhiro të shpejta,  gjithçka është vendosur vetëm 30 sekonda para mbylljes së provave zyrtare. Atëherë kur piloti i “Honda”-s, Espargaro, regjistroi kohën 1 minutë, 58 sekonda e 889 të mijëtat, duke lënë kështu prapa Banjajën dhe Kuartararon.

Gjithçka u konfirmua kur xhiroja e shpejtë e Horhe Martin u korrigjua dhe Espargaro siguroi nisjen nga vendi i parë për herë të parë për “Honda”-n, në atë që ka qenë një sezon i vështirë për skuadrën japoneze. Në radhën e dytë të nisjes do të rreshtohen Martin, Mark Marlez dhe Aleiks Espargaro, ndërsa në atë të dytën do të rreshtohen Xhek Miller, Valentino Rosi dhe Johan. Sikundër i gjithë ky sezon, edhe gara e Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe në Moto GP do të sillet për sportdashësit nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.