RTSH Sport Live

Pol Espargro ka treguar eksperiencën e parë me motorin Honda

  • 29/03/2021
  • |
  • Moto GP
Pol Espargro ka treguar eksperiencën e parë me motorin Honda
AI ka pranuar se motori japones është më i vështirë se të tjerët, por po mësohet dalëngadalë me sekretet e tij

Pol Espargaró ishte piloti që arriti rezultatin më të mirë me Hondën, në garën hapëse të sezonit 2021 në MotoGP. Ai e kaloi vijën e finishit i teti, 5”990 pas pilotit të kreut dhe 56 të mijtat prapa vëllait të tij Aleix, i cili fitoi luftën për vendin e shtatë me Aprilia.

Partneri i tij i skuadrës, Stefan Bradl, përfundoi i njëmbëdhjeti, dhe dy satelitët e krahut të artë, Álex Márquez dhe Takaaki Nakagami, nuk e përfunduan garën për shkak rrëzimi. Këto rezultate, treguan edhe njëherë se me mungesën e Marc Márquez në radhët e Hondës, siguria drejt fitoreve, për skuadrën japoneze duket e errët.

Pol Espargaró, i pyetur nga e përditshmja spanjolle AS, për varësinë ndaj Marquez, numri 44 përgjigjet: “Kjo nuk është çështje vetëm te Honda. Çdo skuadër kur humbet piliotin e saj të parë për një farë kohe, ka nevojë që ai të kthehet shpejt, për t’i dhënë siguri. Arsyeja pse unë jam këtu, është të përpiqem të jap rezultate dhe të qëndroj sa më afër Marc kur të kthehet, e të dy më pas të jemi pilotë të fortë brenda ekipit. Gara e parë nuk ishte e keqe për ne. 6 sekonda larg nga vendi i parë, është diçka shumë e rëndësishme”.

Espargaro pranon se duhej të ishte gati 30% më i shpejtë në Katar, por siguron se do të përmirësohet në garën e fundjavës së ardhshme, ku sigurisht që do të arrijë edhe rezultat më të mirë. Piloti i Hondës, tregon edhe për eksperiencën e parë me këtë motor: “E mora me shumë qetësi fillimin e garës dhe kjo më bëri të humbas disa pozicione. Më pas fillova të kap ritmin tim dhe kjo më bën të ndjehem i kënaqur”.

“Padyshim, për fundjavën e ardhshme do të ketë ndryshime. Sepse edhe me motorin jam mësuar. E pranoj që të drejtosh një Honda është tepër e vështirë, është krejt ndryshe nga të tjerët. Megjithatë e theksoj edhe njëherë se jam i kënaqur me rezultatin dhe që arrita ta përfundoj këtë garë. Fundjavën e ardhshme do të jem i relaksuar dhe do të kem më pak presion e më pak tension. Kështuqë do të jem në gjendje të rrezikoj pak më shumë”.