RTSH Sport Live

Polonia, kundër lejimit të rusëve dhe bjellorusëve

  • 30/03/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Polonia, kundër lejimit të rusëve dhe bjellorusëve
IOC-ja kërkon kohë sa i përket vendimit për Lojërat Olimpike “Francë 2024”

Pas zërave që po qarkullojnë se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) do të lejojë sportistët rusë e bjellorusë të luajnë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” reagimet kanë qenë të shumta. Polonia po mendon të bojkotojë këtë eveniment olimpik në rast se kjo gjë ndodh dhe ai mund të mos jetë shteti i vetëm që e bën këtë veprim. Sekretari i shtetit të Polonisë, Marsin Pzidak, e konfirmoi idenë e bojkotimit të Olimpiadës, duke thënë: “Ky vendim është i mundshëm, por duhet marrë në një koalicion më të gjerë, jo të vetëm. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që sporti të jetë i lirë nga ndikimi rus”.

Një reagim i fortë ky i Polonisë, që mund të pasohet nga shumë shtete të tjera, që nuk e pëlqejnë vendimin e IOC për të lejuar rusët e bjellorusët të garojnë si neutralë. Sidoqoftë, në mbledhjen e tij të fundit, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka kërkuar ende kohë për të diskutuar për këtë çështje dhe se në momentin e duhur do të marrë një vendim.

IOC-ja u ka kërkuar sidoqoftë Federatave ndërkombëtare që të lejojnë dhe ftojnë sportistët e këtyre dy vendeve, duke garuar si neutralë. Kushti i vetëm është që ata të mos mbështesin luftën në Ukrainë. IOC e motivon këtë vendim, me faktin se në botë ka shumë vende që janë në luftë dhe sportistët e këtyre vendeve nuk janë përjashtuar nga garat. Kjo do të thotë se sportistët rusë e bjellorusë mund të lejohen në Lojërat Olimpike të Parisit pas një viti.

“Ne morëm në konsideratë edhe 70 konflikte të tjera të armatosura në gjithë botën dhe pamë që komitetet olimpike të këtyre vendeve që janë në luftë ndjekin parimet e Kartës Olimpike”, - thuhet në deklaratën e IOC. Por reagimi i Polonisë pritet të pasohet nga shumë vende të tjera dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pritet të ketë probleme të mëdha përpara.