RTSH Sport Live

Pragu i kampionatit, rrjeta shqiptare me risi

  • 01/10/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Pragu i kampionatit, rrjeta shqiptare me risi
Presidenti Erlind Pëllumbi: Kombëtaret të gjitha në aktivitet në Europë gjatë vitit 2022

Volejbolli shqiptar ngre siparin e kampionatit të ri këtë fundjavë. Ndaj presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, i shoqëruar nga zëvendëspresidenti Dashamir Brari dhe sekretari i përgjithshëm, Albens Vokopola, dolën paraditen e së premtes në konferencë për shtyp. Jo vetëm që i kanë uruar skuadrat për një sezon të mbarë, por mbi të gjitha kanë zbuluar dhe risitë e këtij edicioni.

“Duhet të kemi salla me cilësi, duke i parë ato që të jenë të mundura për transmetim televiziv. Është bërë një inspektim i të gjithë zonave, janë parë se kush plotësojnë kushtet për transmetim, sepse do të jetë risia e këtij sezoni si për femra ashtu dhe për meshkuj”.

Madje i pari i rrjetës shqiptare, edhe pse është vetëm fillimi, ka vërejtur dhe mangësi në përgatitjet e skuadrave, sidomos tek ato që morën pjesë në Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit, fituar nga Tirana si për meshkuj, ashtu dhe për femra.

“Në opinionin tim, nuk është se ishte ajo që ne prisnim, pasi u bë kohë e gjatë që pandemia na la në baltë le të themi. Në momentin që ristartojmë nuk pamë të ketë patur seriozitet nga shumë ekipe”.

Një pikë tjetër e konferencës për shtyp ishin dhe ekipet kombëtare, ndërsa Pëllumbi zbulon morinë e aktiviteteve për vitin 2022, madje duke e shtrirë pjesëmarrjen në Europë edhe me moshat. Pretendimet janë maksimale.

“Në vitin që vjen do të marrim pjesë me U16 në eliminatoret e Kampionatit Europian. Gjithashtu, me U19 do të marrim pjesë po në eliminatoret e Kampionatit Europian. Këtu flas për ekipet e femrave. Do ta mbyllim edhe me Ballkaniadën, e në fund fare janë Lojërat Mesdhetare, që zhvillohen në Algjeri, ku ekipi përfaqësues i femrave do të marrë pjesë. Për të dalë më pas tek ekipi i meshkujve, për herë të parë organizohet nga CEV një kompeticion i moshave 21 dhe 22 vjeçare, ku ne kemi një grup djemsh shumë të talentuar, të cilët janë dhe kontigjent i ekipit kombëtar. Vlen për tu theksuar rikthimi I skuadrës së djemëve në Europa League, të cilët premtojnë shumë. Të gjitha këto do të jenë ngritja e siparit të eliminatoreve të Kampionatit Europian, të cilat do të jenë në muajin gusht të vitit 2022”.

Java e parë e kampionatit nis këtë të premte, ndërsa pritet që të jetë një sezon i nxehtë dhe me shumë surpriza.