RTSH Sport Live

Prapaskenat, Sane loboi pro Mane-s, Bayerni “e kursen” me gjobë 500 mijë euroshe

  • 14/04/2023
  • |
  • Gjermani
Prapaskenat, Sane loboi pro Mane-s, Bayerni “e kursen” me gjobë 500 mijë euroshe

Me kalimin e orëve mediat gjermane kanë hedhur dritë mbi historinë e plotë të konfliktit mes Sane dhe Mane. Dje u kuptua se senegalezi për shuplakën e dhënë është pezulluar të paktën për një ndeshje (humb atë kundër Hoffenheim). Por “Bild” dhe “Sky” janë të bindura se 31-vjeçarit përveç se do t’i duhet që të qëndrojë në “bokse” për një ndeshje duhet që të paguajë edhe një gjobë “shëmbullore”. Thuhet se shifra është 500.000 euro.

Gjërat mund të kishin shkuar edhe më keq për Mane-n pasi po sipas “Bild” dhe “Sky” ka qenë Sane ai që u ka kërkuar bosëve të klubit të mos mendojnë si alternativë ndëshkimi pushimin e Mane-s nga puna ose thënë ndryshe prishjen e njëanëshme të kontratës. Krerët e Bayern, pas sherrit në “Etihad”, kishin menduar edhe për hapin ekstrem pasi një pjesë e mirë e lojtarëve ishte rrevoltuar nga sjellja e Mane. Ndërhyrja e Sane, i cili u godit në fytyrë nga Mane, thuhet se ka ulur së tepërmi gjakrat duke bërë që gjithçka të kalojë pa pasoja.

Sane ndihet në faj pasi ka qenë ai që ka provokuar Mane-n duke e quajtur “m.. i zi”. Kjo frazë e thënë nga Sane ka bërë që Mane të dilte nga vetja dhe ta godiste. Edhe pse duhet thënë se që prej ardhjes së tij në Mynih kurrë nuk ka lidhur një marrëdhënie të fortë me shokët e ekipit.