RTSH Sport Live

Prishtina-Penza, në Superkupën Mbarëkombëtare

  • 13/10/2021
  • |
  • Basketboll
Prishtina-Penza, në Superkupën Mbarëkombëtare
Prishtina – Penza në finalen e parë të këtij trofeun, bien Partizani e Flamurtari

Derb kosovar në Superkupën Mbarëkombëtare të basketbollit të femrave, që është duke u zhvilluar në Vlorë dhe që po vjen drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Prishtina – Penza do të jenë përballë njëra-tjetrës në finalen e kësaj Superkupe, e cila vjen në prag të sezonit të parë të Ligës Unike për femra, atje ku do të jenë gjashtë ekipe.

Prishtina ka mundur Partizanin 76-73 në një ndeshje të luftuar, ndërsa pas një fillimi të ekuilibruar kosovaret janë shkëputur në 20-11 për ta përfunduar periodën e parë 24-19. Në periodën e dytë reagon Partizanin, që me një avantazh të pjesshëm 12-0 arrin të përmbysë në 25-24. 22-18 perioda e dytë për të kuqet e Ledina Koçit, por në pushim Prishtina ka kryesuar 42-41.

Ajo që duket se i vë vulën suksesit të kosovareve është perioda e tretë, që e kanë fituar 19-9 dhe kanë thelluar 61-50. Dhe duke e ruajtur me fanatizëm avantazhin e tyre, përtej përpjekjeve të Partizanit, arrijnë të fitojnë 76-73. Tjetër histori në ndeshjen mes Flamurtarit dhe Penzës së Pejës.

 Perioda e parë është fituar nga kosovaret 19-17. E dyta nga vlonjatet 27-13 dhe në pushim kryeson Flamurtari, 44-32. Por nuk e ruajnë këtë ritëm, sepse Penza, me një sërë lojtaresh amerikane, di të shfrytëzojë gjithçka. 24-12 perioda e tretë dhe gjithçka barazohet në 56-56. 23-14 e fundit dhe në përfundim 79-70.

E shtuna dhe e diela do të jetë për Superkupën Mbarëkombëtare të meshkujve, që do të zhvillohet në Shkodër, ndërsa Liga Unike pritet të nisë menjëherë tek djemtë me 8 ekipe në edicionin e saj të dytë, atje ku fituese është Golden Eagle Ylli.