Kristjan Asllani është gati të bëjë debutimin e tij në Serie A me fanellën e Interit. Ditën e shtunë ekipi zikaltër do të luajë në transfertë ndaj Leçes. Marcelo Brozoviç nuk dihet nëse do të jetë gati për këtë sfidë, pasi mesfushori vuan nga një tendosje në pulpën e djathtë dhe gjasat që të jetë në fushë janë thuajse minimale. “La Gazzetta dello Sport” nënvizon se mesfushori shqiptar do të marrë çelësat e mesfushës në ndeshjen e parë të kampionatit italian.
20-vjeçari është aktivizuar në miqësoret që kanë zhvilluar zikaltërit dhe duket gati për të zbritur në fushë edhe në ndeshjet zyrtare. Pavarësisht moshës së tij të re, Asllani ka marrë vlerësim pozitiv dhe pritshmëritë për të këtë edicion janë maksimale.