RTSH Sport Live

Problemi i Barçës me kontratën e De Jongut

  • 26/09/2022
  • |
  • Futboll Bota
Problemi i Barçës me kontratën e De Jongut
Presidenti Laporta kërkon që holandezi të pranojë të ulë pagën

Frenkie de Jong ka qenë një nga emrat më të përfolur te Barcelona gjatë merkatos së verës. Holandezi ishte gati për t’u larguar nga “Camp Nou”, sepse ishte një nga lojtarët, që do të ndihmonte klubin ekonomikisht. Largimi i holandezit do t’i hiqte nga lista e pagave Barcelonës një shumë të majme, por edhe do të sillte të ardhura të kënaqshme në arkat e klubit. Manchester United u përpoq shumë gjatë verës ta bindë holandezin të vinte në Angli, por lojtari nuk pranoi me idenë se mund të kishte ende sukses te Barcelona. Por duke parë llogaritë, ky është një problem i madh financiar për Barcelonën. Në ditët e tij të fundit në krye të FC Barcelona, Bartomeu bëri disa rinovime, përfshirë edhe De Jong. Holandezi rinovoi kontratën e tij me Barcelonën deri në vitin 2026 dhe e ngriti shkallën e pagave në një nga pozicionet më të mira. Kostoja e qëndrimit të De Jong në Barcelonë është 42 milionë euro.

Sipas Forbes, lojtari do të marrë deri në 18 milionë euro në sezon dhe 88.58 milionë në katër vitet e fundit të kontratës së tij. Shifra këto që holandezi nuk dëshiron t'i prekë edhe nëse Barça përpiqet të rregullojë buxhetin e vet financiar. Para pak kohësh, klubi deklaroi se kontrata e holandezit me ish presidentin Bartomeu, ishte e paligjshme, gjë që solli acarimin e lojtarit. Në këto kushte, presidenti aktual Laporta dëshiron të ulet për të negociuar një ulje të re page me holandezin. Klubi katalan kërkon të anulojë kontratën e pagës që merr aktualisht De jong dhe t'i rikthehen shumës që ka marrë ai kur erdhi nga Ajax. Por të mos harrojmë që bëhet fjalë për një lojtar të rëndësishëm të Barcelonës.

De Jong ka fituar besimin e trajnerit Xavi dhe është lojtari i shtatë më i aktivizuar në fushë duke marrë pjesë në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni në La Liga dhe Ligën e Kampioneve. Aktualisht holandezi është në infermieri, pasi është një nga të dëmtuarit e Barçës, së bashku me Koundé, Araujo dhe Memphis Depay.