Prokuroria e Tiranës ka zbritur përsëri në Federatën Shqiptare të Futbollit. Për rreth katër orë Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës kanë qëndruar në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo për të sekuestruar në cilësinë e provës materiale të gjithë praktikën për zgjedhjen e kreut të shoqatës rajonale të Futbollit të Tiranës. Gjithçka vjen pas akt-padisë që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ngritur ndaj sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, dhe sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, Ardian Haçi.
Objekti i akt-padisë në Gjykatën e Tiranës është manipulimi në bashkëpunim i zgjedhjeve për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, atje ku në garë ishin Krenar Alimehmeti, tashmë i zgjedhur, dhe Eduard Prodani i dorëhequr pas manipulimit të këtyre zgjedhjeve sipas tij. Pretendimet që ngrihen nga pala paditëse, kjo nga ana e kryebashkiakut Veliaj në cilësinë e aksionerit të Klubit Tirana, është se janë kryer falcifikime në dokumentacion duke rritur në mënyrë fiktive numrin e anëtarëve që kanë votuar për zgjedhjen e drejtuesit të shoqatës.
Nga Prokuroria e Tiranës mësohet se hetimi do të jetë i gjithanshëm dhe se praktika e sekuestruar është voluminoze. Në listën e prokurorëve janë emrat e më shumë se 40 ekipeve që janë pjesë e shoqatës Rajonale të Futboll Tirana. Ndërkohë zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit do të kryhen më 2 mars, kurse që nga kjo e hënë ka zbritur dhe një mision vëzhgimi nga UEFA për ndërhyrjen e palëve të treta në këto zgjedhje. Gjithsesi, tanimë Prokuroria ka në dorë të gjithë materialin e Asamblesë Zgjedhore të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Tiranë.