RTSH Sport Live

PSG bën “poker”, Lajpcig mund Sitin dhe shkon në Ligën e Europës

  • 07/12/2021
  • |
  • Futboll Bota
PSG bën “poker”, Lajpcig mund Sitin dhe shkon në Ligën e Europës
Grupi A mbyll i pari ndeshjet, të mërkurën në Rrjetin e RTSH-së, Milan-Liverpul

Mesjava rikthen Ligën e Kampioneve me ndeshjet e fundit të fazës së grupeve. Dy prej këtyre 8 takimeve të së martës  janë luajtur më herët dhe të dyja ishin të vlefshme për grupin A. Paris SG-ja ka mundur thellë, 4-1, Klub Bryzhin, por duke mos i rrëmbyer dot kreun e renditjes Mançester Sitit. Skuadra pariziene e ka mbyllur praktikisht në gjysmëorën e parë përballjen me belgët, duke shënuar 3 herë, dy herë me anë të Kilian Mbapesë, në minutat 2 dhe 7, dhe një herë me anë të Lionel Mesit, në minutën e 33-të.

Ndonëse Rits do të shkurtojë largësinë e golave për miqtë, duke shënuar në fundin e çerekorës së parë të pjesës së dytë, Mesi ka goditur sërish 14 minuta para fundit, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë dhe vulosur dygolëshin e tij vetjak në këtë ndeshje dhe fitoren 4-1 Paris SG-së, që e mbyll në vendin e dytë të renditjes së grupit A, me 11 pikë, një më pak sesa skuadra angleze, që e mbylli pjesën e parë në Gjermani në disavantazh të një goli, të shënuar nga Szobolai.

Silva ka dyfishuar epërsinë e Lajpcigut në minutën e 71-të, dhe, ndonëse Mahrez shkurtoi hendekun e golave për anglezët 5 minuta më pas, dalja me karton të kuq e Uokerit 8 minuta para fundit të kohës së rregullt, ia bëri më të lehtë punën skuadrës gjermane, që fiton 2-1 dhe siguron vendin e 3-të, që të çon më tej në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit, në Ligën e Evropës.