Kristina Anxhara arrin minimumin e pikëve për kualifikimin për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ndërsa pas Luiza Gegës dhe Briken Caljes bëhet sportistja e tretë e Shqipërisë, e cila do të shkojë me normë kualifikimi.
Pikërisht në Kampionatin Europian të Qitjes, i cili është duke u zhvilluar në Osijek të Kroacisë, Anxhara në garën e qitjes me pushkë ajër në distancën 10 metra ka arritur kuotën e 600.5 pikë, aq sa është niveli i minimumit të pikëve për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike.
Ky është sukses për qitjen shqiptare, e cila në Europianin e Osijekut do të përfaqësohet edhe me Agim Ramon në pistoletë ajër 10 metra dhe po në të njëjtën disiplinë do të marrë pjesë dhe Henri Rrufa.
Ashtu sikurse është bërë e ditur dhe më parë, Kampionati Europian është garë kualifikuese për në Lojërat Olimpike, ndaj rezultati i Anxharës konsiderohet sukses për të gjithë sportin shqiptar dhe qitjen në veçanti.