RTSH Sport Live

Rahoveci, fitore dhe tension në Shkodër

  • 05/12/2021
  • |
  • Basketboll
Rahoveci, fitore dhe tension në Shkodër
Trepikëshi i fundit i kosovarët gati-gati sjell sherrin masiv në fushë, por shmanget gjithçka

Rahoveci gjen fitoren e parë në Ligën Unike, Shqipëri – Kosovë, në basketboll për meshkuj. Një sukses me përmbysje për kosovarët në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër, por dhe me tension. Sepse fundi gati-gati ka qenë një sherr masiv, kjo për shkak të trepikëshit të Grin, që do të vuloste fitoren e Rahovecit në shifrat 93-84. Vetëm ndërhyrja e stafeve respektive të të dy skuadrave ka ulur tensionet në një ndeshje e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Perioda e parë është e ekuilibruar me Vllazninë e Rahovecin që dalin herë pas here në avantazh, por në fund fitojnë shkodranët, 16-15.

 Vllaznia e ruan ritmin e lartë dhe në periodën e dytë, të cilën e ka fituar 26-22 dhe në pushim ka kryesuar 42-37. Një periodë e tretë spektakolare për kuqeblutë, të cilët dallohen sidomos në gjuajtjet për tre pikë. 31-22 dhe në total 73-59. Por duket sikur koshi mbyllet për vendësit e hapet për Rahovecin, që me një avantazh prej 23 pikësh në periodën e katër, 11-34, përmbys gjithçka. Dhe në përfundim 84-93 për Rahovecin. Ndërkohë në ndeshjet e tjera të javës së pestë të Ligës Unike në basketboll për meshkuj, Golden Eagle Ylli ka mundur Kamza Basket, 89-75, kurse Peja ka fituar ndaj Prizreni-16, 97-60.

Tanimë mesjava do të jetë për javën e tretë të Ligës Unike për femra, atje ku në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar të mërkurën në ora 19:00 do të vijë Flamurtari – Tirana, ndërsa fundjava për javën e gjashtë të meshkujve. Të shtunën Tirana – Golden Eagle Ylli dhe të dielën Vllaznia – Peja, të dyja në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Aktualisht Liga Unike në basketboll për meshkuj kryesohet nga Golden Eagle Ylli me 9 pikë, që është fituesja në fuqi.