RTSH Sport Live

Rasëll: Makina nuk ka nevojë të ndryshojë

  • 07/08/2022
  • |
  • Formula 1
Rasëll: Makina nuk ka nevojë të ndryshojë
Piloti britanik i “Mercedes”-it beson se zgjedhjet teknike po japin fryte

Xhorxh Rasëll beson se sigurimi i nisjes nga vendi i parë, i pari për “Mercedes”-in këtë sezon dhe sigurimi i podiumit të dyfishtë fundjavën e kaluar në Hungari justifikojnë vendimin e drejtuesve për t'iu përmbajtur konceptit aktual të makinës së Formula 1. “Mercedes”-i vuajti  përballë konkurrentëve kryesorë, “Red Bull”-it dhe “Ferrari” përgjatë gjysmës së parë të sezonit 2022, për shkak të një problemi të përsëritur vibrimin dhe tundjen e pjesës së pasme të makinës së saj “Ë13”. Por garat e fundit, skuadra gjermane ka shijuar një ngritje në formë, duke përfunduar në podium në secilën nga 6 garat e fundit, si dhe duke futur Rasëllin dhe shokun e tij të skuadrës, Ljuis Hemiltonin, në 3 vendet e para në Francë dhe Hungari.

Fundjava e Hungarisë pa Rasëllin të siguronte, për herë të parë në Formula 1, nisjen nga vendi i parë dhe të kryesonte pjesën e hershme të garës, përpara se ta përfundonte garën i 3-ti, pas Maks Verstapenit të “Red Bull”-it dhe Hemiltonit, që mori vendin e dytë. I pyetur nga mediat nëse përmirësimi i fundit në formë ishte i mjaftueshëm për të justifikuar qëndrimin me konceptin ekzistues të makinës për pjesën tjetër të vitit, Rasëlli tha se dyshonte se një ndryshim do të kishte një ndikim të madh.

"Unë nuk mendoj se ndryshimi i konceptit të makinës do të na bëjë të shkojmë më shpejt, ndoshta e kundërta për të qenë i sinqertë”, - tha Rasëll pas garës në Hungari, duke vijuar: “Ndonjëherë duhet t'i përmbahesh procesit dhe të vazhdosh të shtysh. Dhe kjo është e vështirë për t'u bërë kur nuk je në ritmin dhe gjërat nuk duket se po shkojnë ashtu siç duhet. Por personalisht, unë besoj në secilin person brenda ekipit tonë dhe mendoj se po bëjmë përparim të madh për momentin”.

“E pamë me punën që bëmë në provat zyrtare, e patë edhe ritmin që treguam të dy në garë. Mendoj se në fillim të sezonit ne po përfundonim garat një minutë pas vendit të parë. Dy garat e fundit kemi qenë brenda 10 sekondave. Kështu që unë mendoj se padyshim që po shkon në drejtimin e duhur”.