RTSH Sport Live

Reagon Tirana: Po na përbaltin pa të drejtë

  • 26/11/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Reagon Tirana: Po na përbaltin pa të drejtë
 Klubi bardheblu reagon lidhur me përmendjen në çështjen e llogarive të bllokuara të FSHF-së

Lidhur me çështjen e bllokimit të llogarive bankare të Federatës Shqiptare të Futbollit, ka reaguar të enjten në mbrëmje edhe klubi i futbollit “Tirana”, që është përmendur në media si i përfshirë në këtë çështje. Klubi kryeqytetas ka reaguar nëpërmjet një postimi të shkurtër në profilet e saj zyrtare në rrjetet sociale, në të cilin shkruhet fillimisht se: “Nisur nga sensibiliteti i madh mediatik duke përmendur dhe lakuar në mënyrë të papërgjegjshme emrin e KF Tirana dhe llogaritë e klubit dëshirojmë të sqarojmë se asnjëherë, asnjë vlerë monetare nuk ka kaluar në asnjë llogari tjetër përvecse ato zyrtare të KF Tirana.”

Më tej, reagimi bën një apel që kushdo që është i interesuar, subjekt, gazetar apo futbollist që kërkon informacione të sakta për këtë çështje duhet të drejtohet në departamentin e zyrës së shtypit të klubit, për të gjitha informacionet e nevojshme”. Tirana ka kërcënuar më tej se: “Cilido që do të njollosë emrin e klubit 25 herë kampion në Shqipëri, për interesa meskine apo goditje të ulta për mënyrën sesi menaxhohet ky investim i madh, do të përballet me procedurat ligjore për shpifje, siç e parashikon ligji shqiptar.

Klubi ka qënë gjithmonë i hapur dhe transparent me publikun në cdo situatë dhe për këtë arsye sqarojmë se nuk do të lejojmë askënd të përbalti punën tonë”, - ka përfunduar reagimi i Klubit të Futbollit “Tirana”.