Kohë llogarish në kampin e Interit, teksa De Vrij dhe Skriniar mund të largohen me parametra zeri në fund të këtij sezoni, çka do të thotë një humbje e madhe kryesisht për arkat e klubit, por edhe për trajnerin Simone Inzaghi. Nëse holandezi e ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën me zikaltërit. pasi ka preferuar të ndjekë një rrugë të re, situata me sllovakun ndryshon. PSG e kërkoi në verë për 60 milionë euro, por drejtori sportiv Beppe Marotta bëri bllokadë dhe tashmë rrezikon që ta humbasë këtë bast, sepse shtatlarti duket shumë larg rinovimit. Palët nuk janë ulur ende në bisedime dhe një gjë e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Nga kjo situatë po përfitojnë pretendentët në radhë për të bindur Skriniar dhe një prej tyre është edhe Real Madrid, që ka lëvizur në drejtim të sllovakut gjatë orëve të fundit. Mediat iberike bëjnë të ditur se Skriniar është emri që i pëlqen Ancelottit për ta rreshtuar në mbrojtjen Los Blancos dhe presidenti Perez është gati ta mbulojë shtatlartin me miliona për ta bindur të transferohet pa asnjë qindarkë për kartonin që në muajin janar.
Për momentin Interi vazhdon të kërkojë 70 milionë euro, shumë të cilën PSG dhe Real Madrid nuk kanë ndërmend ta paguajnë, por duke nisur që prej muajit janar, Skriniar mund të firmosë një parakontratë me klubin që dëshiron pasi Inter nuk mund ta pengojë më.