RTSH Sport Live

Real me Benzema, Liverpool pa Luis Diaz

  • 15/03/2023
  • |
  • UEFA Champions League
Real me Benzema, Liverpool pa Luis Diaz
Përplasja e madhe në Bernabeu do të ketë edhe Topin e Artë në fushë

Beteja më e bukur e mbrëmjes europiane do të luhet natyrisht në Bernabeu, ku Real Madrid pret Liverpool me sigurinë e 5-2 por me frikën e asaj cfarë mund të bëjë skuadra e Klopp me kualitetin që ka. Të besuarit e Klopp, të mundur 1-0 edhe nga Bournemouth, duhet të fitojnë me tre gola diferencë në Bernabeu për të shkuar në shtesë. E vështirë, por për Klopp jo e pamundur: ndaj Liverpool do ta provojë deri në fund… Tekniku gjerman ka ende mungesën e Luis Diaz, Thiago Alcantara dhe Calvin Ramsay.

Kolumbiani mund të kthehet me ekipin këtë javë, por nuk do të konsiderohet për përzgjedhje deri pas pushimit të kombëtareve. Për fat, Joe Gomez është rikuperuar nga problemi muskulor që pati në këmbën e parë. Një krizë në mesfushë po kërcënon gjithashtu të prishë planet e Klopp. Jordan Henderson, i sëmurë dhe Stefan Bajcetic janë mungesat e vona. Edhe Naby Keita është në dyshim të lehtë për shkak të një goditjeje të pësuar. Diogo Jota ishte një shkëndijë e ndritshme kundër Bournemouth kur zëvendësoi Harvey Elliott në pjesën e parë.

Kështu, Klopp mund të mendojë ta sjellë portugezin në një modul ambicioz 4-2-3-1 ose 4-4-2, veçanërisht me opsionet e tij të kufizuara në dhomën e regjisë. Lajmin më të mirë e mori Ancelotti. Pasi humbi ndeshjen kundër Espanyol si masë paraprake për shkak të një shqetësimi në kavilje, fituesi i Topit të Artë Benzema është bashkuar me grupin. Francezi ka punuar duke u stërvitur me ngarkesë të plotë dhe pritet të udhëheqë ofensivën.

Ancelotti gjithashtu duhet të llogarisë edhe në rikthimin e mbrojtësit të majtë Ferland Mendy. Francezi ka qenë jashtë me një problem në kofshë që nga fundi i janarit, kështu që Ancelotti mund të mos e rrezikojë atë nga fillimi. David Alaba u largua me një shqetësim në kofshë në ndeshjen e parë dhe pritet të qendrojë jashtë. Pas aktivizimit të Eduardo Camavinga në krahun e majtë kundër Espanyol-it, Ancelotti duhet të zbresë në fushë me Antonio Rudiger ose Mendy. Gjithnjë nëse niveli i tij i fitnesit e lejon. E.S.