RTSH Sport Live

Real Sociedad kalon pengesën Atletiko, shkon në çerekfinale

  • 20/01/2022
  • |
  • Spanjë
Real Sociedad kalon pengesën Atletiko, shkon në çerekfinale
Januzaj dhe Sorlot firmosin kalimin në raundin çerekfinal të Kupës së Mbretit

Real Sociedad është skuadra e radhës e kualifikuar për në raundin çerekfinal të Kupës së Mbretit, që po vjen ekskluzivisht në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Skuadra nga San Sebastian ka ditur t’i imponohet kampionëve të Spanjës, Atletiko Madrid, teksa ka fituar 2-0. Januzaj paralajmëron golin në të 7’, teksa godet jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Oblak. Të njëjtën gjë bën edhe Ojarzabal në të 14’.

Dhe Atletiko Madrid tregohet e rrezikshme në kundërsulm, ndërsa në të 15’ Karrasko godet shtyllën e portës së Real Sociedad. Por me shumë qetësi vendësit kalojnë nga kjo situatë dhe Januzaj në të 33’ vulos golin e avantazhit. Në pjesën e dytë, përtej ndërrimeve të Simeones, janë vendësit që dominojnë, ndërsa Sorlot shënon golin e dytë në të 47’.

Januzaj, Sorlot e Merino shënjestrojnë portën e Oblak për golin e tretë, por në përfundim 2-0 për Real Sociedad. Tanimë Kupa e Spanjës në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar do të vijojë me Atletik Bilbao – Barcelona dhe Elçe – Real Madrid.