La Liga, trajneri italian i Real Madrid, Karlo Ançeloti e ka bërë të qartë se titulli do të rikthehet në shtëpinë e bardhë vetëm kur këtë ta thotë matematika dhe asnjë ditë më parë. “Nuk e mendoj si mediat. Nuk e kemi fituar ende La Ligën dhe as e kemi në xhep edhe pse momentalisht jemi të avantazhuar. Është e vërtetë që rivalët si Barcelona apo Atletico janë disi të shkëputur por le të shikojmë Sevillan, ata janë shumë pranë nesh”, thekson trajneri italian në një intervistë dhënë në Spanjë.
Reali i Madridit kryeson kampionatin me 46 pikë, 8 më shumë se ndjekësit nga Andaluzia por Ancelotti nuk shikon diferenca duke theksuar se La Liga është një kampionat i komplikuar dhe në asnjë javë nuk ka ndeshje të lehta. Është Karim Benzema njeriu që e ka tërhequr Realin këtë sezon drejt majës më të lartë të Spanjës pasi sulmuesi francez duket tërësisht i rinuar nën drejtimin e Carlo Ancelottit.
Me 15 gola të shënuar ai mban vendin e parë në listën e lojtarëve më produktivë të këtij sezoni dhe trajneri italian është i qartë kur flet për bomberin e tij. “Mendoj se është sulmuesi më i mirë në botë pasi po kalon një moment shumë pozitiv dhe është në formë spektakolare”, thekson ai.